Nga Fejzo Subashi
Zoti Berisha, mos e lidhni fatin e Këlcyrës me Klemend Ndonin. Këlcyra është shumë më e madhe se çdo kryetar bashkie dhe shumë më e madhe se çdo betejë politike. Po e nis këtë reagim me një sqarim që e konsideroj të domosdoshëm. Unë nuk jam mik i Klemend Ndonit që nga dita kur u bë Kryetar i Bashkisë Këlcyrë. Unë kam pasur miqësi me familjen e tij shumë më herët, që kur Klemendi ishte fëmijë dhe, natyrisht, as që mund ta mendoja se një ditë do të bëhej kryetar bashkie. Dhe po e them edhe më qartë: nuk kam përfituar prej tij. Përkundrazi. Në jo pak drejtime, kjo njohje ka qenë për mua pengesë dhe kosto.
Prandaj nuk kam as nevojë dhe as dëshirë ta mbroj Klemend Ndonin për hir të miqësisë. Madje, kam shprehur edhe unë pakënaqësi ndaj tij kur kam menduar se ka pasur arsye për ta bërë. Nuk e konsideroj të pagabueshëm dhe nuk mendoj se ka bërë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Por sot, kur shoh reagimet politike dhe sidomos përpjekjen për ta lidhur emrin e tij me idenë se gjoja Klemend Ndoni do që të prishet Bashkia Këlcyrë, mendoj se kemi hyrë në një katrahurë politike krejt tjetër. Këtu nuk bëhet më fjalë për Klemend Ndonin. Këtu bëhet fjalë për Këlcyrën. Dhe pikërisht për këtë arsye, zoti Berisha, po ju drejtohem publikisht.
Ju kam shkruar edhe më parë për reformën territoriale. Ju jam drejtuar juve dhe drejtuesve të komisionit që është marrë me këtë çështje. Sinqerisht kam thënë se, në disa aspekte, jam më afër projektit tuaj. Por pikërisht sepse e kam marrë seriozisht këtë çështje, nuk mund të pranoj që reforma territoriale të kthehet në një betejë emrash, inatesh apo llogarish politike. Këlcyra nuk mund të shkrihet sepse dikush mendon se Klemend Ndoni ka bërë apo nuk ka bërë detyrën e tij. Dhe aq më pak nuk mund të mbrohet duke krijuar idenë se fati i saj varet nga fati politik i një kryetari bashkie. Këlcyra është shumë më e vjetër se Klemend Ndoni.
Është shumë më e vjetër se Edi Rama. Është shumë më e vjetër se Sali Berisha. Pse jo më ndër më të lashtat dhe të vjetërat në Historinë e Kombit Shqiptar. Dhe, po të flasim me respekt për historinë e shtetit shqiptar, Këlcyra ka një peshë historike, kulturore dhe qytetare që nuk mund të matet me interesat e një mandati politik. Prandaj pyetja duhet të jetë shumë e thjeshtë: A e meriton Këlcyra të jetë bashki sipas kritereve, parimeve dhe interesit të qytetarëve Nëse po, atëherë le të jetë. Nëse jo, atëherë le të shpjegohet publikisht dhe me argumente pse nuk duhet të jetë. Por të thuash se Klemend Ndoni do të prishë Bashkinë Këlcyrë dhe pastaj ta përdorësh këtë si argument politik, më duket jo vetëm absurd politikisht, por edhe shumë i vogël për staturën e një opozite që pretendon të qeverisë vendin. Sepse unë nuk besoj se Klemend Ndoni ka ndonjë interes real që Këlcyra të mos jetë bashki.
Përkundrazi. Klementi si qytetar i Këlcyrës, si njeri që e ka lidhur jetën e tij me atë vend dhe si kryetar që ka drejtuar atë bashki, ai ka më shumë arsye se kushdo që Këlcyra të mbetet bashki.
Dhe nëse një ditë do të përballej me drejtësinë, do të ishte më e natyrshme të përballej me drejtësinë si qytetar dhe si ish-kryetar bashkie, sesa të pranonte humbjen e historisë së tij politike e qytetare bashkë me humbjen e institucionit që ka drejtuar. Por edhe këtë nuk dua ta kthej në argument. Sepse Këlcyra nuk duhet të mbrohet për shkak të Klemend Ndonit.
Këlcyra duhet të mbrohet se e meriton. Dhe unë besoj se e meriton të diskutohet seriozisht, jo të vendoset në tavolinat e politikës si një gur shahu. Çfarë ka bërë Klemend Ndoni për Këlcyrën? Mund të ketë bërë gabime. Mund të kishte bërë më shumë. Mund të kishte bërë më mirë. Por duhet të jemi edhe të drejtë. Për shumë vite, Këlcyra është lënë pas dore nga shteti, pushteti dhe qeverisjet e ndryshme. Nuk mund të bëjmë sikur historia fillon me kryetarin e fundit të bashkisë. Dhe po e them një gjë që mund të hapë debat: Që nga koha e Mbretit Zog dhe disi në sistemin komunistë, është e vështirë të gjesh një periudhë kur Këlcyra të ketë pasur një ndryshim kaq të dukshëm në pamjen e saj qytetare sa gjatë drejtimit të Klemend Ndonit. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë është bërë mirë. Nuk do të thotë se Klemend Ndoni duhet të marrë medalje. Do të thotë vetëm se historia duhet shkruar me të vërtetën e saj dhe jo me nevojat e ditës.
Prandaj, zoti Berisha, nëse Këlcyra duhet të mbrohet, mbrojeni Këlcyrën. Mos e mbroni për Klemendin.
Mos e sulmoni Klemendin për të goditur Këlcyrën. Aq më keq për ta përdorur argument nëse Këlcyra do shkrihet. Dhe mbi të gjitha, mos kërkoni shpëtimin e Këlcyrës, apo fitoren tuaj,
te lufta brenda llojit në Partinë Socialiste.
Reforma territoriale nuk bëhet me luftë brenda PS-së
Kjo është pika ku unë mendoj se opozita duhet të bëjë një kthesë serioze. Nëse mendoni se reforma territoriale duhet ndryshuar, atëherë dilni dhe sillni projektin tuaj. Dilni dhe thoni çfarë doni. Cilat janë kriteret? Cilat janë parimet? Cilat janë njësitë që duhen bashkuar? Cilat duhet të mbeten? Cilat janë kriteret ekonomike? Cilat janë kriteret gjeografike? Po kriteret historike? Po ato kulturore? Po lidhjet natyrore të komuniteteve?
Po shërbimet? Po perspektiva e zhvillimit?
Këto janë pyetjet që presin përgjigje. Jo: “Çfarë mendon Klemend Ndoni?” Sepse reforma territoriale nuk është reformë e Klemend Ndonit. Nuk është reformë e Edi Ramës. Nuk është reformë e Sali Berishës.
Është reformë e shtetit shqiptar. Dhe pikërisht për këtë arsye, zoti Berisha, mendoj se opozita duhet të japë edhe llogari për atë që ka ndodhur deri këtu. Ku ishit në vitin 2014? Pse e latë reformën territoriale të kalonte në atë mënyrë? Pse nuk patët që në fillim një projekt të plotë, një platformë dhe një alternativë? Pse nuk u angazhuat me gjithë forcën tuaj për të propozuar një model tjetër? Pse duhet të presim sot që të dalë ndonjë emër nga mazhoranca apo ndonjë konflikt brenda PS-së për të kuptuar se reforma ka probleme? Edhe për angazhimin e njerëzve tuaj politikë duhet të flisni hapur. Nëse mendoni se opozita ka bërë gabime, pranojini. Sepse një opozitë serioze nuk ndërtohet duke kërkuar fajtorin e radhës, apo luftën brënda llojit. Ndërtohet duke pranuar edhe pjesën e vet të përgjegjësisë. Populli nuk është budalla Qytetarët i shohin këto lojëra. Dhe qytetarët kanë krijuar bindjen se shpesh, shumë më tepër sesa interesi për reformën territoriale, kanë funksionuar marrëveshjet politike, llogaritë elektorale dhe pazaret e natës. Ndoshta kjo është arsyeja pse sot shumë njerëz nuk besojnë më kur dëgjojnë politikanët të flasin për reforma. Sepse kanë parë reforma që fillojnë si projekte shtetërore dhe përfundojnë si projekte partie. Kanë parë institucione që ndërtohen mbi parime dhe pastaj përdoren për interesa.
Kanë parë bashki që trajtohen si njësi administrative kur duhet të trajtohen si komunitete me histori, identitet dhe potencial zhvillimi. Dhe kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhë me Këlcyrën. Këlcyra nuk është një emër në hartë. Këlcyra është histori. Është kulturë.
Është identitet. Është një qytet me një peshë shumë më të madhe sesa numri i banorëve të tij. Prandaj, nëse do të bëjmë reformë territoriale, le ta bëjmë.
Por ta bëjmë me parime, kritere dhe vlera, jo me interesa. Ta bëjmë me studim dhe jo me intuitë politike. Ta bëjmë me qytetarët dhe jo pa ta. Ta bëjmë për 30 vitet e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme. Sepse nëse reforma bëhet për të larguar një kryetar, nesër mund të bëhet për të mbajtur një tjetër. Nëse bëhet për të ndëshkuar një bashki, nesër mund të ndëshkohet një tjetër. Dhe kështu shteti nuk ndërton institucione. Shteti ndërton hakmarrje. Unë nuk dua këtë. Nuk dua që Këlcyra të jetë bashki sepse Klemend Ndoni është kryetar. Por nuk dua as të mos jetë bashki sepse dikush mendon se Klemend Ndoni duhet të largohet. Kjo do të ishte një padrejtësi ndaj Këlcyrës. Prandaj, zoti Berisha, po e them fare thjesht: E pushkatojmë Klemendin, nëse ky është debati juaj politik. Por pse duhet të pushkatojmë edhe Këlcyrën bashkë me të?
Le ta gjykojmë Klemend Ndonin për atë që ka bërë apo nuk ka bërë. Le ta gjykojmë çdo kryetar bashkie me të njëjtin standard. Le ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj, nëse ka çështje që i përkasin drejtësisë. Por mos e përdorni fatin e Këlcyrës si armë politike. Sepse Këlcyra nuk është e Klemend Ndonit. Nuk është e Edi Ramës. Nuk është e Sali Berishës. Këlcyra është e qytetarëve të saj dhe e historisë së saj. Dhe nëse reforma territoriale do të bëhet mbi bazën e parimeve, kritereve, vlerave historike, kulturore, ekonomike dhe të interesit të qytetarëve, atëherë le të vendosë reforma. Por nëse do të bëhet mbi bazën e interesave politike, marrëveshjeve, inateve dhe luftës brenda llojit, atëherë do të ishte më mirë të mos e quanim reformë. Sepse reforma që nuk ka parime është thjesht një tjetër mënyrë për të ndarë pushtetin. Unë këtë nuk kërkoj. Unë kërkoj që Këlcyrës t’i jepet ajo që i takon dhe meriton. Jo për Klemend Ndonin. Jo për Edi Ramën. Jo për Sali Berishën.
Por për Këlcyrën. Dhe nëse Këlcyra e meriton të mbetet bashki, atëherë, me gjithë respektin për çdo forcë politike, nuk ka burrë nëne që mund ta shkrijë Këlcyrën për interesa politike. Dhe Rama, jo që jo.




