Francë, arrestohet violinisti shqiptar, u kap me 38.3 kg kokainë në automjetin e tij

Jugulajm.net
1 Min Read

Autoritetet franceze kanë arrestuar një violinist me origjinë shqiptare, i cili u kap duke transportuar 38.3 kilogramë kokainë të fshehur në automjetin e tij.

Sipas mediave të huaja, në pranga ka rënë shtetasi B. B., 45 vjeç, violinist profesionist dhe anëtar i Orkestrës Simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comte. Ai u ndalua nga doganierët në pikën e pagesës në La Turbie, teksa udhëtonte drejt Italisë me një automjet tip Citroën C5 Aircross.

Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet konstatuan një hapësirë të dyshimtë nën tapetin e sediljes së pasagjerit. Pas kontrolleve të mëtejshme, u zbuluan dy hapësira të modifikuara në dyshemenë e automjetit, ku ishte fshehur sasia e kokainës.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e 45-vjeçarit, ku autoritetet gjetën katër armë zjarri, mes tyre dy pushkë, një jelek antiplumb, qindra fishekë, si dhe 88,900 euro cash.

Përpara Gjykatës Penale të Nisës, 45-vjeçari pranoi se kishte marrë përsipër transportin e drogës kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh. Ai deklaroi se ishte përfshirë në këtë aktivitet përmes disa njohjeve të krijuara gjatë një udhëtimi në Shqipëri, ndërsa mohoi të ishte kërcënuar apo detyruar për të kryer transportin.

Share This Article