Nga Boldnews.al
Kompania “Sigal”, në pronësi të sipërmarrësit Avni Ponari, ka fituar një tender pa garë reale, me vlerë prej më shumë se 1.8 milionë euro, për sigurimin e aseteve të Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare.
Procedura e zhvilluar nga Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH) është mbyllur në fillim të kësaj jave. Në dokumentat e konsultuar nga “Boldnews.al” rezulton se shoqëria e siguracioneve “Sigal”, ka paraqitur ofertën më të lartë ndër dy pjesëmarrësit.

Por, shoqëria publike e prodhimit të energjisë elektrike, e drejtuar nga Administratorja Viola Haxhiademi, ka skualifikuar subjektin me ofertën më të ulët, duke ia dorëzuar kontratën Avni Ponarit.
Tenderi me “flamur të kuq”
Në fillim të gushtit 2026, Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare shpalli tenderin me objekt “Sigurimi i Aseteve të KESH sh.a”. Fondi limit për këtë procedurë u parashikua në vlerën 170.756.219 lekë të reja ose diçka më shumë se 1.8 milionë euro.
Objekti i kontratës ishte “sigurimi i aseteve të shoqërisë KESH sh.a, përfshirë ndërtesa, pajisje kompjuterike dhe makineri/pajisje për një periudhë 12-mujore, nga ngjarje si zjarrje, tërmete, përmbytje, etj.
Në procedurë rezulton se kanë marrë pjesë dy kompani të interesuara. Kompania “Intersig Viena Insurance Group” paraqiti ofertën 163.218.408 lekë të reja. Ndërsa shoqëria “Sigal” e Avni Ponarit rezulton se ka paraqitur një ofertë rreth 50 mijë euro më të lartë, në shumën 168.160.993 lekë të reja.

Pasi janë hapur ofertat, stafi i KESH-it, i drejtuar nga zonja Haxhiademi, ka vendosur të skualifikojë shoqërinë me ofertën më të ulët, “Intersig Viena Insurance”, me argumentin se nuk plotësonte disa prej kritereve të përcaktuara në kushtet e kontratës.
Kompania “humbëse” rezulton se, në vitet e kaluara, ka plotësuar kriteret dhe ka fituar gjithnjë procedurën e ngjashme. Por, kësaj radhe, siç duket ndryshimi i titullarit të KESH-it, ka sjellë ndryshime edhe në përzgjedhjen e fituesve të tenderave miliona euro të kompanisë publike.
“Shefja” e KESH-it
Viola Haxhiademi u emërua në krye të Korporatës Eletro-Energjitike Shqiptare (KESH) në dhjetor të vitit 2025, duke zëvendësuar Erald Elezin, i cili u vendos në masë sigurie “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për ish-zv.kryeministren, Belinda Balluku.

Vetë Haxhiademi konsiderohet si një nga njerëzit më të ngushtë të Ballukut. Ajo ka qenë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës thuajse gjatë të gjithë mandatit ministror të ish-numrit 2 të qeverisë.
Dokumentat e rrjedhura nga dosja hetimore e përfshijnë Haxhiademin në disa episode të dyshimta me Ballukun.
Megjithatë, deri më tani, Prokuroria e Posaçme nuk ka njoftuar ndonjë veprim hetimor ndaj zonjës Haxhiademi, e cila u emërua në krye të KESH-it, pasi ish-shefja e saj, Belinda Balluku, u largua nga detyrat qeveritare, në vijim të hetimeve të zhvilluara nga SPAK-u.




