Dokumentet mbi të cilat mbështetet reforma e re territoriale e propozuar nga mazhoranca ofrojnë një fotografi të polarizimit demografik të Shqipërisë, se si emigracioni dhe lëvizjet e brendshme kanë zbrazur qytetet e vogla dhe zonat rurale dhe popullsia është përqendruar në pak qendra urbane.
“Reforma Administrativo-Territoriale 2.0”, dokumenti i hartuar nga ekspertët e PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, identifikon një grup njësish vendore që shfaqin dobësi të përsëritura në funksionalitet, ekonomi, demografi dhe financa për të justifikuar nevojën e rikonfigurimit të hartë së ndarjes territoriale.
Analiza bazohet mbi tre indekse që tregojnë një tablo thellësisht të polarizuar demografike, ekonomike dhe funksionale të bashkive, ku në njërën anë janë disa qendra urbane ku përqendrohet jo vetëm popullsia, por ka dhe zhvillim ekonomik, dhe në anën tjetër është periferia, sidomos verilindja, juglindja dhe zonat malore, të cilat vuajnë një rreth vicioz tkurrje dhe plakje të popullsisë, ekonomi mbijetese me pak vende pune formale dhe buxhete bashkiake që mbijetojnë vetëm nga qeveria qendrore, duke i përdorur fondet vetëm për pagat e administratës vendore.
Indeksi i Masës Urbane (IMU), një nga tre dokumentet analitike mbi të cilat është bazuar propozimi i hartës së re me 46 bashki, duke shkrirë 15 njësi vendore me bashkitë më të mëdha brenda qarkut, dokumenton transformimin territorial të Shqipërisë pas viteve ’90, me më pak qendra që rriten dhe gjithnjë e më shumë bashki që humbasin banorë.
Të dhënat e përpunuara nxjerrin në pah një Shqipëri të ndarë në tre realitete: një grup shumë të vogël bashkish që vazhdojnë të tërheqin popullsi dhe aktivitet ekonomik, një grup bashkish me potencial të ndërmjetëm dhe një shumicë territori që po humbet masën kritike të popullsisë.
Analiza është ndërtuar mbi të dhënat e Censusit 2023 dhe, e përfshirë në raportin teknik që shoqëron reformën, sugjeron se vendi po përjeton një përqendrim të popullsisë në gjithnjë e më pak qendra urbane, ndërsa pjesa tjetër e territorit po humbet banorë, funksione dhe kapacitete zhvillimi.
Rezultatet e indeksit tregojnë se vetëm 13 bashki klasifikohen me nivel të lartë të masës urbane, por në to jeton 62.5% e popullsisë së vendit. Në anën tjetër, 30 bashki, pothuajse gjysma e hartës administrative, klasifikohen në nivel të ulët dhe përbëjnë vetëm 14.2% të popullsisë, ndërsa 18 bashki renditen në kategorinë e ndërmjetme ose mesatare.
Sipas të dhënave, popullsia e vendit është përqendruar në kryeqytet, ku banojnë mbi gjysmë milioni banorë, e ndjekur me shumë pikë pas nga bashkitë Durrës, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Fier, Kamëz dhe Berat.
Në skajin tjetër, me më pak banorë, renditen bashki si Pusteci, Libohova, Himara, Këlcyra, Memaliaj, Selenica, Dropulli, Finiqi, Delvina dhe Kolonja, të cilat kanë humbur peshë demografike dhe urbane, sipas indeksit.
Analiza e ekspertëve të mazhorancës nuk e ndërton indeksin vetëm mbi numrin e banorëve, por kombinon tregues të tjerë si: madhësia e popullsisë, dendësia reale e banimit, mënyra si shpërndahet popullsia në territor, raporti i varësisë demografike dhe niveli i urbanizimit.
Kjo do të thotë se një bashki mund të ketë sipërfaqe të madhe, por nëse popullsia është e përqendruar në një qytet të vogël dhe pjesa tjetër e territorit është bosh, ajo konsiderohet strukturalisht e dobët.
Një nga gjetjet më domethënëse është se mesatarisht 57% e territorit është i pabanuar. Në nivel kombëtar, koeficienti ‘Gini’ që mat raportin banorë për km katror është 0,86, çka tregon se banorët janë të përqendruar në pak zona, ndërsa pjesë të mëdha të territorit mbeten bosh.
Kjo duket veçanërisht në Kolonjë dhe Korçë, ku treguesi arrin 0,97, duke treguar se popullsia është mbledhur në pak zona urbane dhe pse bashkitë kanë shtrirje të gjërë në territor. Ndërkohë Bashkia e Kamzës ka vlerën më të ulët, 0,42, që tregon se territori i kësaj bashkie është i banuar. Në përgjithësi, mesatarisht rreth 57% e territorit të një bashkie rezulton bosh.
Të dhënat tregojnë dhe për një popullsi në plakje të popullsisë së bashkive.
‘Raporti i varësisë’, që tregon barrën që fëmijët dhe të moshuarit përbëjnë për popullsinë në moshë pune tregon se në shumicën e bashkive (51) kjo barrë është më e lartë se mesatarja kombëtare dhe, në shumë prej tyre, të moshuarit tejkalojnë numrin e fëmijëve.
Analiza tregon edhe një nivel të ulët urbanizimi me një normë mesatare 29,8% në 60 bashki pa përfshirë Tiranën në analizë, ndërsa “25 bashki nuk kanë asnjë vendbanim që plotëson kriteret për t’u quajtur qytezë”. Bazuar në këtë kriter vetëm 6 bashki mund të klasifikohen si qytete, 13 si qyteza/periferi dhe 42 si rurale.
Ky transformim demografik është një nga argumentet mbi të cilat anëtarët socialistë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale mbështesin nevojën për një hartë të re me 46 bashki.
Dokumenti analitik i PS-së konstaton se vendi nuk ka më të njëjtën shpërndarje të popullsisë që kishte në vitin 2014, kur u realizua ndarja aktuale administrativo-territorial, që synonte krijimin e bashkive më të mëdha dhe më efikase.
“Disa zona janë rritur, ndërsa të tjera kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë”, thuhet në raport, ndërsa argumentohet se një pjesë e bashkive kanë vështirësi të sigurojnë financa të qëndrueshme, staf të kualifikuar dhe kapacitete administrative.
Po ashtu dokumenti nuk e redukton problemin vetëm te kufijtë administrativë, por pranon se ndryshimet demografike lidhen me lëvizjen e popullsisë drejt qendrave më të mëdha, plakjen e popullsisë, pabarazitë territoriale dhe përqendrimin ekonomik, fenomene që kanë ndryshuar mënyrën si funksionojnë bashkitë shqiptare dhe sugjeron se ndryshimi i kufijve administrativë nuk mund të zgjidhë i vetëm sfidat që burojnë nga emigracioni, plakja demografike dhe përqendrimi ekonomik.
Socialistët kanë depozituar në Kuvend një projektligj që propozon një ndarje të re të hartës administrative-territoriale me shkrirjen e disa njësive të vogla me bashki më të mëdha, pa argumentuar se si harta e re do të zgjidhë këto problematika.
Sipas hartës së re bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe bashkohen me bashkitë fqinje më të mëdha.
Propozimi ka hasur në kundërshtimin e banorëve të këtyre zonave që janë ngritur në protesta pasi e shohin veten jashtë mundësisë për shërbime publike me shkrirjen e njësive të tyre vendore.
Burimi: “BIRN”




