“Besa” e Ramës një shans për të rindërtuar shtetin, jo vetëm mundësi për të mbajtur pushtetin…

Jugulajm.net
9 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Domosdoshmëria e projektit të Kryeministrit Edi Rama për një kthesë të madhe në mazhorancën qeverisëse, për mua, nuk është vetëm një nevojë politike. Është një detyrim ndaj shtetit. Mund të ketë ardhur me vonesë, por mbetet një projekt i duhur dhe shumë i nevojshëm.
Manifesti i pagëzuar nga ideatori i tij me emrin “Besa” nuk duhet parë vetëm si një dokument për Partinë Socialiste. Nëse zbatohet me seriozitet, ai mund të shërbejë si një gur themeli për mënyrën se si qeveriset, apo duhet të qeveriset Shqipëria.

Njëkohësisht, nuk minimizoj dhe as anashkaloj rolin vendimtar të protestës mbarëqytetare. Përkundrazi, është e pamundur të mohohet se pikërisht presioni qytetar krijoi klimën që e bëri të domosdoshme daljen në skenë të këtij manifesti. Po aq e vërtetë është se kjo lëvizje përbën edhe një përpjekje të Kryeministrit Rama dhe të Partisë Socialiste për të kurorëzuar mandatin e katërt. Kjo është normale në politikë. Por vlera e projektit nuk duhet gjykuar nga interesi elektoral, por nga aftësia për të ndryshuar shtetin.

Themeli i çdo qeverisjeje nuk është ministri dhe as kryeministri. Themeli është administrata. Ajo është zemra e ekzekutivit, motori që lëviz shtetin dhe institucioni që prek çdo ditë jetën e qytetarit.
Pikërisht këtu Shqipëria ka dështuar për më shumë se tri dekada.
Administrata nuk është një individ, një ministër apo një drejtor. Administrata është një mekanizëm i tërë që funksionon si një trup i vetëm. Fatkeqësisht, ne e kemi trajtuar si pronë politike dhe jo si institucion profesional.

Për shumë vite administrata ka qenë deputeti dhe jo specialisti; drejtuesi politik dhe jo politikëbërësi; militanti dhe jo profesionisti. Ndryshon ministri dhe zëvendësohet zinxhiri i administratës, sikur shteti të ishte pronë private dhe jo institucion publik. Shpesh drejtori i një institucioni sillet jo si administrator i ligjit dhe i shërbimit ndaj qytetarit, por si pronar i një bahçeje me domate. Një nëpunës, vetëm sepse ka mbështetjen e një deputeti apo të një drejtuesi politik, sillet me pronën e shtetit sikur të ishte telefoni apo ora e tij personale. Këta njerëz, që paguhen nga taksat e qytetarëve, nuk i shërbejnë qytetarit. Ata e presin dhe e përcjellin atë sikur të ishte mysafir në pronën e tyre. Me një firmë ose me një vizë në një dokument ndryshojnë fatin e pronave, të bizneseve dhe të jetës së njerëzve, me një lehtësi të frikshme, sikur të hanin një sufllaqe. Nuk mjafton më që një nëpunës apo drejtues vetëm të largohet nga detyra. Largimi është fundi i privilegjit, por jo fundi i përgjegjësisë. Çdo firmë në administratë ka pasoja. Çdo vulë prodhon një efekt. Çdo vendim prek jetën e qytetarëve dhe pasurinë e shtetit. Prandaj çdo firmë duhet të ketë edhe autorin e saj përpara ligjit. Nëse një punonjës i hipotekës, me dashje apo nga paaftësia, ka tjetërsuar pronën e shtetit ose të qytetarëve, ai nuk mund të largohet thjesht nga puna. Ai duhet të përgjigjet ligjërisht dhe materialisht për dëmin që ka shkaktuar. Nëse një doganier, me një firmë, i ka humbur shtetit miliona euro, ai nuk ka bërë vetëm një gabim administrativ. Ai ka cenuar interesin publik dhe duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat.

Nëse një punonjës i tatimeve ka favorizuar klientë, ka mbyllur sytë ndaj evazionit ose ka ndëshkuar padrejtësisht biznesin e ndershëm, ai nuk ka dëmtuar vetëm buxhetin e shtetit. Ai ka goditur konkurrencën, ekonominë dhe besimin te shteti. Po kështu, kur një gjyqtar apo prokuror jep një vendim të padrejtë, të diktuar nga korrupsioni, klientelizmi apo frika, ai nuk dëmton vetëm një qytetar. Ai plagos vetë drejtësinë dhe minon besimin e shoqërisë te shteti. Koha e papërgjegjshmërisë duhet të marrë fund. Administrata nuk mund të jetë më streha ku gabimi harrohet, abuzimi falet dhe dëmi mbetet pa autor. Çdo nëpunës duhet ta dijë se, bashkë me rrogën që merr nga taksat e qytetarëve, merr edhe përgjegjësinë personale për çdo vendim që firmos. Vetëm atëherë posti publik nuk do të shihet si privilegj, por si barrë dhe shërbim ndaj qytetarit. Problemi nuk është më një individ apo një institucion. Problemi është modeli. Ky model nuk ndryshon me disa shkarkime nga puna, aoo me lëvizjen paralele. Kush i ka shkaktuar dëm shtetit, qoftë nga padija, paaftësia apo korrupsioni, duhet të mbajë përgjegjësi edhe materiale e ligjore. Dëmi ndaj shtetit duhet të paguhet. Nëpunësi publik nuk është pronar i vulës së shtetit, por kujdestar i saj. Çdo firmë që ai hedh ka autor dhe çdo pasojë duhet të ketë përgjegjësi. Kush, me dashje ose nga paaftësia, i shkakton dëm shtetit dhe qytetarit, nuk duhet të humbasë vetëm vendin e punës; duhet të mbajë përgjegjësi civile, administrative dhe penale për dëmin që ka shkaktuar. Vetëm atëherë posti publik nuk do të shihet më si privilegj, por si barrë dhe besim.

Për fat të keq, për vite me radhë u krijua një administratë ku vendin nuk e zinte më i afti, por më i lidhuri. Shumë prej tyre nuk ia dinë derën universitetit, por sillen si pronarë të institucioneve. Nuk respektojnë ligjin, por fuqinë e karriges.
Më e keqja është se këta nuk i kanë shërbyer as partive që i kanë emëruar. Ata nuk e fituan postin me meritë, por e përdorën atë për të ndërtuar rrjete klienteliste. Nuk blenë vetëm një vend pune; blenë heshtjen, vartësit, shefat dhe, në shumë raste, të gjithë zinxhirin komandues. Ky mentalitet nuk lindi sot. Ai u ushqye për vite të tëra nga e gjithë politika shqiptare. Marrëveshjet politike, ndarja e administratës si plaçkë pushteti dhe filozofia “më jep që të të jap” e kthyen klientelizmin në sistem.

Prandaj përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Edi Ramën. Përgjegjësia është e të gjithë politikëbërësve të këtyre më shumë se tridhjetë viteve. Të gjithë, me vetëdije ose pa vetëdije, e ushqyen këtë model sepse e panë si një makineri për të prodhuar vota. Sot nuk po paguajmë vetëm faturën financiare të kësaj filozofie. Po paguajmë një kosto shumë më të madhe: kemi dobësuar administratën, kemi dëmtuar arsimin, kemi cenuar besimin te drejtësia dhe kemi varfëruar shtetin në kapitalin e tij më të rëndësishëm njeriun profesionist. A do ta realizojë këtë kthesë mazhoranca dhe Kryeministri Rama? Askush nuk mund ta garantojë. Por një gjë është e sigurt: Shqipëria ka nevojë për një STOP të madh ndaj modelit të deritanishëm dhe për një kthesë po aq të madhe në mënyrën se si ndërtohet dhe funksionon shteti.

Pikërisht për këtë arsye e mbështes këtë projekt. Jo si një akt besnikërie ndaj një partie apo një lideri, por si një mundësi për të rindërtuar administratën dhe shtetin. Mbështetja për reformën nuk përjashton përgjegjësinë. Përkundrazi, ajo e bën edhe më të domosdoshme që secili të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë ose ka lejuar të ndodhë. Nëse “Besa” mbetet vetëm një slogan, do të jetë një zhgënjim tjetër. Nëse kthehet në një reformë të vërtetë të administratës, atëherë mund të jetë fillimi i fundit të shtetit partiak dhe lindja e shtetit institucional.

Share This Article