Një 69-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti në një zonë malore, ku ndodhej duke kullotur bagëtitë.
Sipas informacioneve paraprake, Ismet Domeri nga fshati Shalës i Sarandës dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar gjatë kohës që ndodhej në mal. Paraprakisht mendohet se temperaturat e larta mund të kenë ndikuar në incident, ndërsa rrethanat e plota mbeten objekt i verifikimeve.
I moshuari është gjetur nga persona që ndodheshin pranë zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Fillimisht, ai është transportuar në Spitalin e Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas bluzave të bardha, 69-vjeçari ka pësuar trauma të rënda në kokë dhe në kraharor.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët vendosën transferimin e tij me helikopter drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.




