Letër e hapur prokurorëve të Fierit

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Të nderuar prokurorë,
Drejtësia nuk duhet të ndëshkojë vetëm autorët; ajo duhet të ndihmojë shoqërinë të kuptojë pse po i prodhon ata…

Nuk kam vënë dhe nuk vë në dyshim integritetin, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës suaj. Megjithatë, kjo nuk më pengon t’ju drejtohem publikisht me këtë letër të hapur, si qytetar, si person publik dhe mbi të gjitha si prind.

Detyra juaj nuk është të jeni zemërmirë, babaxhanë apo thjesht njerëz fisnikë. Fisnikërinë dhe zemrën e mirë lërini në familjet tuaja. Përpara ligjit duhet të flasë vetëm ligji. Pikërisht këtë presin qytetarët nga ju: drejtësi, profesionalizëm dhe paanshmëri.

Nuk dua ta paragjykoj punën tuaj. Përkundrazi, pres që në këtë çështje të tregoni përkushtimin maksimal, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me fatin e një vajze të dhunuar. Kemi të bëjmë me një alarm për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes janë shumë më të mëdha se vetë ngjarja: Çfarë brezi po rrisim? Si po e edukojmë? Ku e ka zanafillën kjo dhunë? Pse fëmijë të kësaj moshe arrijnë deri në këtë pikë?
Për mua nuk është thelbësore vetëm sa apo si do të dënohen vajzat dhunuese.

Më e rëndësishme është që hetimi të nxjerrë në dritë shkaqet që prodhojnë këtë mentalitet, këtë sjellje dhe këtë mungesë të theksuar empatie.

Ky nuk është një rast i izoluar. Ndoshta jo çdo ditë shohim një ngjarje të tillë, por çdo ditë përballemi me mungesë etike, mungesë respekti dhe krizë vlerash. Shohim fëmijë që nuk respektojnë familjen, shkollën, mësuesin dhe shoqërinë. Shohim adoleshentë që, përmes sjelljes, fjalorit dhe mënyrës së jetesës, krijojnë modele të gabuara për bashkëmoshatarët e tyre.

Sot është bërë e vështirë të jesh mësues apo edukator. Një grup i vogël nxënësish me sjellje problematike arrijnë të prishin jo vetëm një orë mësimi, por klimën e të gjithë shkollës. Më e keqja është se ata shpesh shndërrohen në “model”, ndërsa kush nuk sillet si ata konsiderohet jashtë mode.
Përgjegjësia nuk është vetëm e prindërve dhe as vetëm e institucioneve. Ajo është e përbashkët: e familjes, e shkollës, e drejtësisë, e komunitetit, e medias, e institucioneve shtetërore dhe e shoqërisë në tërësi.

Nëse sot nuk e trajtojmë këtë fenomen me seriozitet dhe nuk vendosim secilin përballë përgjegjësisë së vet, nesër do të përballemi me një degradim edhe më të madh moral e shoqëror.
Nuk kam nostalgji për të kaluarën. Por nuk mund të mohoj se brezat e mëparshëm u rritën me një përgjegjësi më të madhe kolektive. Edukimi nuk ishte vetëm detyrë e familjes; ai mbështetej nga shkolla, komuniteti, institucionet dhe gjithë shoqëria. Pikërisht kjo frymë duhet rikthyer.

Prandaj, hetimi juaj nuk duhet të mbyllet vetëm me identifikimin e autorëve dhe vendosjen e përgjegjësisë penale. Ai duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjithë institucionet dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
Le t’i vëmë sot pikat mbi “i”, jo vetëm për këtë çështje, por për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të kombit tonë.

Heshtja sot do të ishte përgjegjësi nesër, ndaj:
Drejtësia nuk duhet të ndëshkojë vetëm autorët; ajo duhet të ndihmojë shoqërinë të kuptojë pse po i prodhon ata…

Share This Article