Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë lidhur me procesin zgjedhor, duke deklaruar se raporti i IBAR i miratuar më 21 maj nga strukturat e Bashkimit Evropian përmban kritika të forta për manipulimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e rrjeteve të patronazhimit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ka bërë një krahasim “paragraf për paragraf” mes draft-raportit të muajit shkurt dhe versionit final të miratuar nga COELA më 21 maj.
Sipas tij, në dokumentin përfundimtar janë hequr pjesët që flisnin për progresin e Shqipërisë dhe fokusi është vendosur te kërkesat konkrete ndaj autoriteteve shqiptare.
“Nga faqja 1 gjer në faqen 5 renditeshin vlerësime të përgjithshme për progresin e Shqipërisë në raportin e shkurtit. Kryq, vizë, hiqen totalisht. Dokumenti i unifikuar fillon direkt me draft-pozicion. Seksioni i hyrjeve i lajleve dhe luleve hidhet në kosh.”
Berisha e interpretoi këtë si një “sinjal diplomatik shumë të fuqishëm” ndaj qeverisë shqiptare.
“Eliminohet tërësisht narrativa e progresit të Shqipërisë. Tre faqe të mbushura me këtë narrativë dhe kalohet direkt në kërkesat ndaj standardeve.”
Kreu i opozitës deklaroi gjithashtu se raporti kërkon zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Në maj kërkohet zbatim në kohë dhe efektiv në prag të zgjedhjeve të të gjitha kërkesave të OSBE/ODIHR. Qeveria nuk besohet më për zgjedhjet.”
Berisha ndaloi veçanërisht te përmendja e “rrjeteve të patronazhimit” në raport, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të paprecedentë në dokumentet europiane për Shqipërinë.
“Shqipëria duhet të sigurojë garë të barabartë, duke marrë masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe institucioneve.”
Ai shtoi se raporti përmend për herë të parë ndikimin e rrjeteve të patronazhimit në procesin zgjedhor.
“Kjo është hera e parë që BE emëron rrjetet e patronazhimit. Kritikë e drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij.”
Sipas Berishës, misioni faktmbledhës i COELA-s në Shqipëri ka ndikuar në shtimin e masave dhe rekomandimeve që lidhen me standardet zgjedhore dhe përdorimin e institucioneve shtetërore gjatë fushatave elektorale.




