FOTO/ Zjarr i madh në Shkozet, bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa segmente kryesore

Jugulajm.net
1 Min Read

Një zjarr i madh është raportuar këtë pasdite në zonën e Shkozetit në Durrës, ku mësohet paraprakisht se flakët kanë përfshirë një magazinë.

Forcat zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes dhe po punojnë për izolimin e flakëve, ndërsa ende nuk dihen përmasat e dëmeve apo shkaku i zjarrit.

Sipas informacioneve paraprake, një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Durrësit raportohet se ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa priten sqarime nga autoritetet dhe operatori i energjisë.

Për shkak të zjarrit të rënë është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera përgjegjëse, ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës, shuarjen e zjarrit, garantimin e sigurisë dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Share This Article