Vlora kam frikë se ka ndryshuar, Beni Malaj nuk ka ndryshuar…

Jugulajm.net
6 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Më pëlqen që Beni nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, kam frikë se kanë ndryshuar Vlora dhe vlonjatët. E vlerësoj dhe e konsideroj një vlerë të shtuar obligimin që Prof. Arben Malaj i ka vënë vetes për të qenë qytetari i parë i Vlorës. Më bën mirë të shoh se ai mbetet po ai Beni energjik, me vullnet, përgjegjësi dhe dashuri për qytetin e tij. Jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është maturuar edhe më shumë si intelektual, akademik dhe qytetar. Do të doja që nisma e mikut tim, Prof. Arben Malaj, të shërbejë si shembull për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e jetës politike shqiptare. Vendi ka nevojë për ta edhe pasi u mbaron mandati. Nuk duhet të mjaftohen me shprehje si: “Iku koha jonë”, “Bëmë sa mundëm”, apo “Kush na pyet më ne?”. Jo. Ju jeni pjesë e historisë së këtij vendi. Me sukseset dhe gabimet tuaja, me fitoret dhe humbjet, ju mbeteni aktorë të këtij rrugëtimi.

Politika nuk duhet t’i humbasë njerëzit sapo u mbaron mandati. Përkundrazi, duhet të dijë t’i rikthejë dhe t’i përdorë aty ku përvoja, integriteti dhe dija e tyre i shërbejnë interesit publik. Fatkeqësisht, shumë njerëz hyjnë në politikë si idealistë dhe dalin prej saj si financierë të pasurisë së tyre. Fillojnë duke pyetur: “Çfarë mund t’i jap unë vendit?”, dhe përfundojnë duke llogaritur: “Çfarë më dha mua politika?” Ky është ndryshimi që duhet të na shqetësojë. Politika nuk është një bilanc fitimesh dhe humbjesh personale. Ajo është një mision që nuk mbaron me largimin nga funksioni. Përgjegjësia ndaj qytetit, ndaj vendlindjes dhe ndaj Shqipërisë vazhdon për aq kohë sa njeriu ka mundësi të japë diçka nga vetja. Vendlindja, lagjja, fshati, qyteti dhe Shqipëria kanë gjithmonë nevojë për kontributin tuaj, sado modest të jetë ai. Beni vetëm është thinjur. Thinjat nuk e kanë larguar nga Vlora; përkundrazi, ia kanë shtuar detyrimin ndaj saj. Ai nuk pyet se çfarë ka bërë Vlora për Benin, por çfarë mund të bëjë Beni çdo ditë për Vlorën. Kjo duhet të jetë motoja e çdo shqiptari, kudo që jeton.

E ku do ta gjente Vlora një personalitet me këtë formim, kulturë, përvojë dhe integritet? Nuk besoj se Vlora do t’i bëjë nder Arben Malajt. Besoj se është Arben Malaj ai që mund t’i bëjë nder Vlorës duke i shërbyer asaj si qytetar i saj. Sot ai nuk nis një rrugë të re. Ai rikthehet në një rrugë që e ka përshkuar edhe më parë, por këtë herë me më shumë pjekuri, më shumë përvojë dhe një staturë më të madhe. Natyrisht që do të ketë edhe paragjykime.

Do të ketë nga ata që do të pyesin: “Ishte deputet, çfarë bëri për Vlorën? Ishte ministër i Ekonomisë dhe Financave, çfarë bëri për Vlorën?” Këto janë pyetje legjitime. Nuk i shmang dhe nuk gjykoj askënd që i bën. Por unë njoh Prof. Arben Malajn. Njoh intelektualin, ekonomistin, ministrin dhe socialistin Arben Malaj. Vlera e një njeriu nuk matet me postin që mban, por me kontributin që vazhdon të japë edhe kur nuk mban më asnjë post. Ata që e kuptojnë politikën si mision nuk dalin kurrë në pension nga detyrimi ndaj vendit.”
Edhe pasi u shpall i padëshiruar nga drejtuesi i partisë për të cilën dha shumë, ai nuk u përfol për pasuri përrallore, afera apo biznese të dyshimta. Deri më sot, pasuria e tij më e madhe mbetet profesioni, dija dhe integriteti. Prandaj them se Arbeni nuk ka ndryshuar. Kam frikë se ka ndryshuar Vlora.

Ndoshta nuk është më ajo Vlora që ngrinte Shqipërinë në këmbë. Nuk është më ajo Vlora për të cilën gjyshi im nga Mamaj i Përmetit më thoshte: “Po u ngrit Vlora, ndryshon Shqipëria. Po foli Vlora, ndryshon Shqipëria. Po votoi Vlora, ndryshon Shqipëria.”
Ndoshta ai nuk kishte ndonjë lidhje gjaku me Vlorën, por kishte një besim të madh tek roli historik i saj. Dhe besoj se kishte të drejtë. Prandaj pyetja ime është e thjeshtë: nëse Arbeni nuk ka ndryshuar, kush duhet të ndryshojë? Mendoj se duhet të ndryshojë Edi Rama, jo si individ, por si Kryetar i Partisë Socialiste. Nuk është humbje të vlerësosh njerëzit me përvojë. Nuk është fitore të mbash larg ata që mund t’i shërbejnë ende vendit. Nëse ndryshon kjo filozofi, nuk fiton Arben Malaj. Fiton qytetaria. Fiton Partia Socialiste. Fiton kultura demokratike dhe vetë loja politike. Sepse një makinë nuk drejtohet mirë vetëm nga një shofer që di të ecë përpara. Një shofer i mirë është ai që di të përdorë të gjitha marshat, në kohën dhe vendin e duhur. Edhe marshi “nitro” nuk është vendosur kot në makinë. Ai përdoret kur situata kërkon fuqi, shpejtësi dhe vendimmarrje. Një shoqëri nuk ecën përpara kur zëvendëson njerëzit me përvojë, por kur di t’i bashkojë energjinë e të rinjve me mençurinë e atyre që kanë shërbyer. Shteti ndërtohet mbi vazhdimësinë e vlerave, jo mbi përjashtimin e njerëzve.

Share This Article