Një punonjës i Policisë Bashkiake është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka goditur me grusht eprorin e tij gjatë një konflikti në ambientet e institucionit.
Në pranga është vënë 31-vjeçari Adi Hazizi, i cili sipas burimeve dyshohet se ka goditur shefin e Sektorit të Mbikëqyrjes së Territorit në Policinë Bashkiake në Tiranë, Skënder Delija.
Sipas informacioneve paraprake, Hazizi ishte lëvizur nga një sektor në një tjetër dhe pas këtij vendimi kishte shkuar në zyrën e eprorit të tij. Pas një konflikti verbal, dyshohet se situata ka agravuar dhe 31-vjeçari e ka goditur me grusht Delijën.
Ky i fundit ka pretenduar se dhuna ndaj tij ka ndodhur për shkak të detyrës, pasi ai i kishte komunikuar vartësit vendimin e marrë nga eprorët për transferimin e tij në një sektor tjetër.




