Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar zhvillimin e një proteste kombëtare ditën e shtunë, në mbështetje të protestave të gjimnazistëve dhe studentëve në Tiranë.
“Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, tha Berisha.
Gjatë një konference për mediat këtë të martë, 27 tetor, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të kryeqytetit që t’i bashkohen tubimit, ndërsa deklaroi se pritet të marrin pjesë edhe mijëra shqiptarë nga diaspora.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të mbështesë fuqishëm protestuesit, duke e cilësuar këtë lëvizje si të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e vendit.
“Sot nga mbarë Evropa, mijëra dhe mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’iu bashkohen protestës, revoltës së gjimnazistëve dhe studentëve të Tiranës.
Jam këtu për të bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që të bashkohen me këtë protestë, me këtë revoltë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e këtij vendi. Gjimnazistët dhe studentët po protestojnë në një revoltë të paparë, me një trimëri të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Kujtojmë se të shtunën, 24 tetor, PD thirri një protestë kombëtare, e cila u shoqëruar me tensione dhe përplasje të ashpra fizike mes forcave të policisë dhe protestuesve. Po të shtunën mbeti i plagosur në sy, nga një plumb gome, 28-vjeçari Ejron Vishkulli.