Dogana Shqiptare njofton qytetarët dhe bizneset se Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë do të ketë ndërprerje të përkohshme të lëvizjes ditën e hënë, 27 korrik 2026, për shkak të një greve të punonjësve të palës greke.
Sipas njoftimit, pezullimi i lëvizjes do të jetë në fuqi nga ora 07:00 deri në 11:00 (ora shqiptare), gjatë së cilës do të ndërpritet procesimi doganor dhe qarkullimi në pikën kufitare.
Gjatë kësaj periudhe, kalimi i automjeteve në hyrje dhe dalje nga territori shqiptar drejt Greqisë dhe anasjelltas do të jetë i bllokuar.
Autoritetet doganore shqiptare u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë që të shmangin përdorimin e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë gjatë intervalit kohor 07:00–11:00 të së hënës, 27 korrik.




