Gjashtë persona, 4 shqiptarë dhe 2 grekë janë arrestuar nga policia e Athinës.

Sipas medieve greke, në rrugën Lenorman në Athinë pati një përplasje mes dy bandave.

Anëtarët e dy grupeve filluan të godisnin njëri-tjetrin me sende të forta dhe madje pati të shtëna me armë në zonë.

Të arrestuarit janë të moshave 66, 64, 57, 50, 37 dhe 21 vjeç.

Dy prej të pandehurve duke drejtuar një automjet në rrugën Lenorman janë përplasur me persona të tjerë.

Siç rezultoi, sipas informacioneve, të arrestuarit teksa lëviznin në rrugën Lenorman kanë marrë sinjalin për t’u ndalur nga një grup prej rreth 20 personash.

Fillimisht kanë debatuar, më pas njëri ka nxjerrë armën dhe e ka drejtuar drejt drejtuesit të mjetit.

Në vendngjarje policia ka gjetur dy gëzhoja.

Automjeti në të cilin udhëtonin të pandehurit është lokalizuar menjëherë i parkuar pranë një magazine në Eleonas, në të cilën ndodheshin 6 të pandehurit.

Nga kontrolli në magazinë u gjetën dhe u konfiskuan një karikator, 3 shkopa bejsbolli dhe 3933 euro.

Vijojnë hetimet për identifikimin e pjesës tjetër të përfshirë.