Pas videos së publikuar ditën e shtunë, policia ka arrestuar 30-vjeçarin, i cili kanosi me thikë disa të mitur në zonën e Lungomares.

30-vjeçari me iniciale A.M., u pa ditën e djeshme duke tmerruar fëmijët në një park në qytetin bregdetar.

Policia njofton pas arrestimit se bëhet fjalë për një person që vuan nga sëmundje mendore, teksa dhe iu gjet një biçakë me vete.

Gjithashtu policia bën me dije se i riu është shoqëruar për në spitalin psikiatrik .

Njoftimi i policisë: 

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ditën e djeshme, në të cilën shfaqet një shtetas duke kanosur disa të mitur, në zonën e Lungomares, Vlorë, ju informojmë se:

Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë kanë kryer verifikimet dhe kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit A. M., lokalizimin e tij, ditën e sotme, rreth orës 12:30, në zonën e Lungomares dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit.

Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 30 vjeç, banues në Vlorë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet prerës (biçak), që iu gjet 30-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Shtetasi A. M. është dërguar në spitalin psikiatrik Vlorë, për trajtim mjekësor, sepse vuan nga sëmundje mendore.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon median dhe qytetarët për denoncimin e paligjshmërive dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.