Gjykata e Sarandës ka dënuar me 2 vite burg biznesmenin Pando Papuçi, i akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”.

Gjithashtu, Gjykata ka vendosur këtë të premte dhe konfiskimin e pallatit 7-katësh dhe kalimin në favor të shtetit të këtij objekti i cili ndodhet në hyrje të qytetit të Sarandës.

Prokuroria kishte kërkuar 5 vite burg për Papuçin, mirëpo gjyqtarja, Edona Vajushi, vendosi të rrëzonte kërkesën e Prokurorisë, duke e dënuar biznesmenin me tre vite burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar me dy vite burg.

Dënimi sipas vendimit, duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Vajushi gjithashtu vendosi edhe konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pallatit 7 katësh dhe dënimin e shoqërisë “2P-SJ” me “mbarimin e personit juridik”.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Apelit për të marrë formë të prerë vendimi si për Papuçiun, ashtu edhe për objektin e firmën e ndërtimit.

Pando Papuçi, biznesmen dhe ndërtues në qytetin e Sarandës, është vetëdorëzuar në shkurt të këtij viti, pas gati dy vitesh në arrati. 68-vjeçari akuzohet për ndërtimin e paligjshëm të një pallati 7 katësh në qytetin bregdetar, që çoi dhe në arrestimin e zyrtarëve të IMT-së në Sarandë.