Partia Demokratike dënoi sot grisjen e flamurit të Izraelit të ngritur në ambientet e ambasadës së këtij shteti në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal me karakter ekstremist dhe antisemit.
Në një deklaratë për mediet, Partia Demokratike shprehet se ky veprim bie ndesh me ndjenjat e miqësisë dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë popullin shqiptar me atë izraelit.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe grisjen e flamurit të Izraelit të ngritur në ambasadën e këtij vendi si një akt kriminal ekstremist, antisemit që bie ndesh me ndjenjat dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë dy kombet dhe dy vendet tona”, thuhet në deklaratë.
PD kërkon nga organet ligjzbatuese identifikimin dhe ndëshkimin sipas ligjit të autorit të këtij akti.
Sipas Partisë Demokratike, ngjarje të tilla cenojnë vlerat e bashkëjetesës, respektit dhe miqësisë mes popujve dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e qytetarëve shqiptarë.




