Një nga banorët e pallatit të shkatërruar nga shpërthimi i fuqishëm në Elbasan ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi së bashku me familjen e tij, teksa një pjesë e strukturës së ndërtesës u shemb dhe i bllokoi daljen nga banesa.
Mes tronditjes dhe dëshpërimit, ai ka treguar se në momentin e shpërthimit dera e ballkonit e goditi në kokë, ndërsa dëgjoi të birin që kërkonte ndihmë, pa pasur mundësi të shkonte pranë tij.
Sipas banorit, forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa një pjesë e soletës u shemb mbi katin ku ndodhej familja, duke bllokuar derën dhe duke e bërë të pamundur daljen nga banesa.
“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste: “O ba, të lutem më ndihmo!” dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra: Merrni zjarrfikësit,”- ka rrëfyer ai.
Banori ka treguar se djali arriti të shpëtonte falë ndërhyrjes së bashkëshortes së tij, e cila mundi të hapte derën e bllokuar.
“Shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Soleta ra mbi katin tonë, zuri derën dhe nuk dilja dot të nxirrja djalin. Fatmirësisht erdhi gruaja, hapi derën dhe doli djali”,- është shprehur ai.
Por përveç tmerrit të përjetuar, banori ka ngritur edhe një shqetësim serioz për ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës. Sipas tij, rruga që të çonte drejt pallatit ishte e bllokuar nga një ndërtim shtesë, duke penguar hyrjen e automjetit zjarrfikës.
“Rruga ishte e zënë dhe zjarrfikësja nuk hynte dot. Është një shtesë që bllokonte hyrjen e automjetit”,- ka deklaruar ai.
Shpërthimi i fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar dëme të rënda në strukturën e ndërtesës. Një e moshuar humbi jetën, teksa një tjetër rezulton ende i pagjetur.
Shkaku i shpërthimit nuk është përcaktuar ende zyrtarisht.




