Ksamil, kapet i shumëkërkuari i SPAK-ut, përplasi makinën e policisë dhe tentoi të arratisej

Jugulajm.net
1 Min Read

Një operacion policor i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në aksin Ksamil–Butrint është shoqëruar me tensione, pasi një person në kërkim ka përplasur automjetin e policisë në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit.

Sipas informacioneve paraprake, agjentë të sektorit të krimeve në Komisariatin e Sarandës kanë tentuar të ndalojnë një person të shpallur në kërkim. Gjatë ndjekjes, ai ka goditur me automjetin e tij mjetin ku ndodheshin efektivët e policisë dhe ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë janë angazhuar forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga Forca Kombëtare e Sigurisë (FNSH), të cilat kanë vijuar operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Pas disa orësh kërkime, në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia ka bërë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit.

Sipas burimeve, personi i arrestuar është nga Elbasani dhe konsiderohet individ me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale. Ai rezulton i kërkuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Identiteti i tij nuk është bërë ende publik, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga policia për detaje të mëtejshme mbi operacionin dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Share This Article