Foshnja duhet të rritet, zoti Berisha!

Jugulajm.net
3 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Foshnja duhet të rritet, zoti Berisha. .. Atë që nuk e bëni si profesor i politikës, bëjeni të paktën si profesor i mjekësisë: lëreni të rritet kjo foshnjë që sapo ka lindur.
Ajo jo vetëm që gëzon shëndet të mirë, por ka të gjithë parametrat për t’u zhvilluar më mirë se normalja. Madje, në shumë drejtime, duket më premtuese sesa ajo e vitit 1990. Bëni minimumin e asaj që bënë krerët e politikës së asaj kohe: Jepni dorëheqjen.

Këtë duhej ta kishit bërë që kur demokracia u vendos. Po ta kishit bërë atëherë, sot nuk do të kishte vend në Shqipëri ku emri juaj të mos përmendej me respekt dhe ku të mos meritonit monument për së gjalli, jo në një, por në çdo qytet të Shqipërisë.

Sot nuk kërkohet më heroizëm. Kërkohet profesionalizëm politik dhe përgjegjësi historike. Nëse dëshironi që në memorien e qytetarëve dhe në faqet e historisë t’ju mbetet ende ndonjë vlerë e patjetërsueshme, ky është momenti për ta dëshmuar.

Nëse vazhdoni t’i qëndroni karakterit dhe përvojës së gabuar politike, duke u mbështetur te teoria se “muri luan, burri nuk luan”, rrezikoni të vrisni jo vetëm këtë fëmijë politik që sapo ka lindur, por edhe vetë shpresën demokratike që e trumbetoni me aq zell.
Do t’i shkaktoni dëm jo vetëm së tashmes, por edhe disa brezave të tjerë.

Nuk besoj se ju mjafton fakti që tashmë dy apo tre breza kanë paguar çmimin e përplasjeve dhe gabimeve të politikës shqiptare. Kërkesa e foshnjës ndaj Ramës për dorëheqjen është sa e drejtë dhe e ligjshme. Por kur ja kërkoni Ju, foshnja jo shfaqet, por bëhet shumë e smur. Ju meqë i kërkoni Edi Ramës të japë dorëheqjen, përpara se t’ia kërkoni atij, jepni vetë shembullin. Jepni modelin.

Tregoni se standardi fillon nga vetja.
Një tërheqje vullnetare nga politika do të kishte më shumë efekt, më shumë dinjitet dhe më shumë vlerë sesa çdo thirrje drejtuar kundërshtarit.
Vetëm kështu do t’i jepnit kësaj foshnje jo vetëm jetën, por edhe lirinë e nevojshme për t’u rritur, për t’u forcuar dhe për të ecur me këmbët e saj.

Sepse fëmijët nuk rriten nën hijen e prindërve që nuk largohen kurrë.

Share This Article