Maturantët në të gjithë vendin janë vetëm pak ditë larg nisjes së provimeve të Maturës Shtetërore, proces që shënon mbylljen e 12 viteve të shkollimit parauniversitar dhe hap rrugën drejt studimeve universitare.
Pas një periudhe intensive përsëritjeje gjatë muajit maj, nxënësit do t’u nënshtrohen provimeve gjatë muajit qershor, sipas rregullave të përcaktuara nga autoritetet arsimore.
Si do të zhvillohen provimet
Provimet e Maturës Shtetërore do të zgjasin nga 2 orë e 30 minuta secili dhe do të kenë në total 60 pikë të mundshme.
Testet do të përmbajnë kombinim të pyetjeve me alternativa dhe pyetje me zhvillim, me qëllim vlerësimin sa më të plotë të njohurive të maturantëve.
Struktura e testit është ndërtuar në tre nivele vështirësie.
Pjesa më e madhe e testit, rreth 80 për qind, do të jetë në nivel mesatar, ndërsa 20 për qind e pyetjeve do të jenë të nivelit më të lartë, të destinuara për të diferencuar nxënësit me rezultate shumë të mira.
Kjo do të thotë se zakonisht tre deri në katër pyetje do të jenë vendimtare për ata që synojnë notat maksimale, si 9 dhe 10.
Sa pikë duhen për të kaluar
Për t’u konsideruar kalues në provim, çdo maturant duhet të sigurojë minimumi 25 për qind të totalit të pikëve.
Kjo përkthehet në një prag minimal të domosdoshëm për të mos mbetur në provim.
Rregulla të forta, ndalohen celularët dhe orët smart
Rregullorja e Maturës Shtetërore mbetet strikte dhe parashikon masa të forta për çdo shkelje.
Një nga ndalimet kryesore lidhet me mbajtjen e pajisjeve elektronike gjatë provimit.
Çdo maturant që paraqitet me celular, orë inteligjente apo pajisje të tjera të ndaluara, rrezikon penalizim të menjëhershëm, deri në përjashtim nga provimi.
Autoritetet theksojnë se edhe vetë fakti i mbajtjes së këtyre pajisjeve me vete mund të konsiderohet shkelje, pavarësisht nëse janë përdorur apo jo.
Çfarë ndodh nëse një maturant nuk është dakord me notën
Maturantët që mendojnë se nuk janë vlerësuar drejt kanë të drejtën e ankimimit.
Procesi i shqyrtimit nis fillimisht në nivel shkolle, ku një komision verifikon vlerësimin e testit.
Nëse gjatë këtij shqyrtimi konstatohet se mund të ketë pasur pasaktësi, teza dërgohet për rivlerësim në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
Ky është institucioni që merr vendimin përfundimtar nëse nota duhet të mbetet e njëjtë, të rritet apo edhe të ulet.
Sipas praktikës së viteve të kaluara, ka pasur raste kur ankimimet nuk kanë sjellë ndryshim në rezultat, por edhe raste kur nota është korrigjuar, si në rritje ashtu edhe në ulje.
Një moment vendimtar për maturantët
Matura Shtetërore konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme në jetën akademike të çdo nxënësi, pasi rezultatet ndikojnë drejtpërdrejt në vijimin e studimeve të larta.
Për këtë arsye, maturantët këshillohen të respektojnë me përpikëri rregullat dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë pjesëmarrjen ose rezultatin e tyre.

Rregullorja e Maturës 2026 – Kontrolli i fletës së provimit
Maturanti/kandidati, pasi merr testin nga AP, kontrollon gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe etj.), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z.
Nëse vërehen parregullsi, kërkon një test tjetër nga AP, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit.
Kriteret për qendrat dhe mjediset e provimit
Mjediset ku do të zhvillohen provimet e Maturës të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara.
Drejtori i shkollës, drejtori dhe punonjësit e ZVAP-së përkatëse e kanë të ndaluar të qëndrojnë në mjediset e provimit të MSH gjatë kohës së zhvillimit të provimeve.
Qendrat të jenë të mjaftueshme për të paktën 150 maturantë/kandidatë, përveç rasteve të veçanta të cilat bëhen me miratim nga KOMSH.
Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa.
Maturantët/kandidatët të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.
Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar të jetë të paktën 40 cm x 60 cm.
Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera.
Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.




