Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Ulqin të Malit të Zi, ku një 36-vjeçare nga Shqipëria dyshohet se është vrarë nga partneri i saj, i cili më pas i ka vënë flakën banesës ku jetonin së bashku.
Sipas mediave vendase, autori i dyshuar është një 46-vjeçar nga Kosova, i identifikuar me inicialet B.G.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 00:30 në lagjen Kodre të Ulqinit. Pas marrjes së njoftimit për zjarr në një objekt banimi, policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku në banesën e përfshirë nga flakët është gjetur trupi i pajetë i 36-vjeçares me inicialet D.N., shtetase shqiptare.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 46-vjeçari fillimisht i ka marrë jetën partneres së tij dhe më pas ka djegur banesën për të fshehur gjurmët e krimit.
Gjatë kontrolleve në vendngjarje, autoritetet kanë gjetur edhe të dyshuarin me plagë dhe djegie në trup. Ai ndodhet nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj 46-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “vrasje e rëndë”.




