Paraditen e djeshme, Rolando Maran ka marrë drejtimin e Shqipërisë duke zënë në këtë mënyrë vendin e trajnerit brazilian Silvinjo. Në prezantimin para mediave, trajnerit iu dhurua një fanellë me numrin 28, çka nënkuptoi se trajneri kishte firmosur një kontratë dy vjeçare megjithatë, italian do të jetë në krye të stolit të Kombëtares deri në fund të vitit të ardhshëm, e konfirmuar kjo nga vetë FSHF. Kontrata u finalizua vetëm pak minuta para prezantimit zyrtar, gjë që u konfirmua edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë konferencës për shtyp.
“Rolando Maran është zyrtarisht trajneri i ri Kombëtares shqiptare. Përmes një konference për media, paraditen e kësaj të marte, në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka prezantoi trajnerin e ri të ekipit tonë kombëtar, z. Rolando Maran, i cili ka firmosur një kontratë për 1 vit e gjysmë me FSHF-në. Ndihmësi i tij në stolin kuqezi do të jetë, Christian Maraner, i cili gjithashtu ka firmosur kontratën e tij me FSHF”, shkruhej mes të tjerash në njoftimin e FSHF-së.
Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me aspektin financiar. Mësohet se Rolando Maran do të përfitojë rreth 30 mijë euro neto në muaj, një shifër dukshëm më e ulët se paga që përfitonte Silvinjo gjatë periudhës së tij në krye të kuqezinjve. Tashmë, mbetet vetëm të shihet nëse Maran do të arrijë të ketë rezultate si të brazilianit, apo do të largohet nga detyra para fundit të kontratës, megjithëse kontrata e parashikon deri në fund të kualifikueseve.




