Nga Florian Hysi
Sot nuk mungojnë njerëzit që kërkojnë të vërtetën , mungojnë vetëm ata që nuk kanë guximin ta pranojnë atë.
Mjafton një trillim i paketuar bukur, një status i hedhur me mllef, një lajm i mbështetur mbi turp dhe menjëherë dalin në skenë ata që e quajnë baltën informacion, urrejtjen analizë dhe panikun mjet për vëmendje.
Ka nga ata që sot shiten si moralistë, nesër si parimorë, pasnesër si viktima.
Ndryshojnë qëndrim me një lehtësi të frikshme, por kurrë nuk ndryshojnë zakonin më të vjetër , të sulmojnë aty ku nuk arrijnë dot me punë, me vlera dhe me dinjitet.
Dhe pikërisht këtu nis rrëshqitja e tyre më e turpshme !
Kur nuk gjejnë argumente, shpikin skandale, kur nuk gjejnë fakte, prodhojnë panik , kur nuk kanë forcë përballjeje, përdorin frikën e njerëzve si armë.
Por ka një vijë që nuk kalohet !
Sëmundjet nuk janë batuta. Shëndeti publik nuk është skenë për lojëra të ulëta. Panikun nuk e kthen dot në kapital duke përdhosur qytetin, institucionin dhe njerëzit që punojnë aty me ndershmëri dhe në shërbim të Gjirokastrës .
Përdorimi i një teme kaq të ndjeshme si HIV për të krijuar zhurmë, për të shpifur , për të trembur qytetarët, për të njollosur Gjirokastrën, për të sulmuar Kryetarin e Bashkisë dhe punonjësit e bashkisë , për të mbledhur vëmendje me çdo kusht dhe i një lufte politike të paprinciptë , nuk është denoncim . Është papërgjegjshmëri , êshtë mjerim moral.
Sepse kush luan me frikën e qytetarëve për pak vëmendje, nuk ka as kauzë, as karakter , ka vetëm mjerimin për të bërë zhurmë mbi një gënjeshtër.
Dhe një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë !
Një punonjës i Bashkisë mund të sulmohet me fjalë, por me shpifje nuk mund t’i përdhoset dinjiteti , nuk mund t’i njolloset integriteti ! Nuk mund t’i preket familja!
Sepse pas çdo detyre, pas çdo përgjegjësie publike, qëndron një njeri me emër, me mund, me sakrificë dhe me njerëz të shtrenjtë pranë vetes. Kush zgjedh të godasë jo vetëm punën, por edhe figurën, nderin dhe familjen e atyre që shërbejnë , nuk po bën kritikë. Por tregon se sa larg mund të shkojë ligësia kur i mungon e vërteta.
Le të vazhdojnë të flasin , le të trillojnë , le të hedhin baltë. E vërteta ka një zakon që ata nuk e durojnë dot ! Nuk bërtet, por qëndron , nuk trembet, por përballet.
Dhe në fund, i lë pa maskë të gjithë ata që kanë jetuar mbi shpifjen !




