Ja pse shumica e njerëzve shkruajnë me dorën e djathtë…

Jugulajm.net
3 Min Read

Bota përreth nesh duket sikur është ndërtuar për njerëzit që përdorin dorën e djathtë. Nga bankat e shkollës te shtrëngimi i duarve dhe shumica e objekteve të përditshme, pothuajse gjithçka përshtatet me rreth 90% të njerëzve që kanë si dominante dorën e djathtë. Megjithatë, shkenca ende nuk ka një përgjigje përfundimtare pse ndodh kjo.

Një studim i ri nga University of Oxford sugjeron se dominimi i dorës së djathtë lidhet ngushtë me evolucionin e trurit të njeriut dhe me periudhën kur njerëzit nisën të ecin në dy këmbë.

Sipas gjetjeve arkeologjike, preferenca për dorën e djathtë ekziston që nga periudha neolitike. Studiuesit arritën në përfundimin se kjo prirje lidhet me zhvillimin e zonave të caktuara të trurit, të cilat evoluan paralelisht me ecjen vertikale të njeriut.

Ndryshe nga njerëzit, shumica e primatëve nuk shfaqin një dominim kaq të fortë të njërës dorë, por përdorin të dyja në mënyrë më të balancuar.

Tek njerëzit, preferenca për njërën dorë fillon që në barkun e nënës dhe vazhdon të formohet deri në adoleshencë. Edhe pse ekziston një bazë biologjike, ekspertët theksojnë se ndikim të madh kanë edhe faktorët mjedisorë dhe mënyra e zhvillimit. Sa më shumë të përdoret njëra dorë që në fëmijëri, aq më shumë trupi përshtatet me të, duke sjellë ndryshime në forcë, densitet dhe madje edhe në strukturën e kockave.

“Ky është studimi i parë që analizon njëkohësisht teoritë kryesore mbi dominimin e dorës së djathtë tek njerëzit”, u shpreh Dr. Thomas A. Püschel.

Sipas tij, rezultatet tregojnë se kjo karakteristikë lidhet me disa nga tiparet më të rëndësishme që na dallojnë si specie, si zhvillimi i trurit dhe ecja drejt.

Studimi vuri re gjithashtu se primatët me tru më të vogël dhe me qëndrim më pak vertikal kanë tendencë të përdorin duart në mënyrë më të shpërndarë, ndryshe nga njerëzit ku dominimi i njërës dorë është shumë më i theksuar.

Nga ana tjetër, neuroshkenca moderne ka treguar se përdorimi i dorës jo dominuese mund të ndihmojë trurin të krijojë lidhje të reja nervore përmes neuroplasticitetit aftësisë së tij për t’u përshtatur dhe riorganizuar.

Studime të ndryshme kanë zbuluar se ushtrimet e vazhdueshme me dorën “më të dobët” forcojnë zonat e trurit që kontrollojnë lëvizjen dhe koordinimin.

Ekspertët sqarojnë se secila dorë ka role të ndryshme: dora dominuese specializohet kryesisht në lëvizje të sakta dhe kontroll motorik të imët, ndërsa dora jo dominuese ndihmon më shumë në stabilitet dhe ekuilibër.

Share This Article