Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, është vënë në pranga i akuzuar për një çështje për “Prodhimin e shitjen e narkotikëve”, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv.
I dyshuari është Edmond Ruçi, është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë Sarandë, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” në ngarkim të shtetasve K.D., dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.
Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime për përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi Edmond Ruçi.
Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në veprime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim për veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.
Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe hetimet po vijojnë.




