Zjarrvëniet, Policia e Shtetit: Nga qershori kemi identifikuar 137 autorë të dyshuar, 46 janë arrestuar dhe…

Jugulajm.net
3 Min Read

Përballë situatës së rënduar nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, Policia e Shtetit ka intensifikuar aksionin për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme.

Në një bilanc të publikuar sot, bëhet e ditur se nga muaji qershor deri më 14 gusht janë identifikuar 137 autorë të dyshuar, nga të cilët 46 janë arrestuar dhe 91 janë proceduar penalisht.

Strukturat e Policisë, të mbështetura nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Forcat Operacionale dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë punën në terren për ndihmën në evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e Emergjencave Civile e zjarrfikësve në përballimin e flakëve.

Kontrolli dhe monitorimi i zonave më problematike po kryhet edhe me dronë, për të identifikuar në kohë personat që ndezin zjarr, duke rrezikuar jo vetëm pronën, por edhe jetën e qytetarëve dhe forcave të ndërhyrjes.

Njoftimi i Policisë:

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, përgjatë muajve qershor, korrik dhe deri sot, janë angazhuar maksimalisht për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve.

Prej qershorit deri më datë 14 gusht, strukturat e Policisë kanë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.

Ndërkohë, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.

Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre. Blegtorët dhe fermerët janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.

Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse.

Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre.

Share This Article