Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia greke në zonën e Janinës, pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe lënde narkotike të dyshuar kanabis.
Sipas autoriteteve greke, ndaj tij janë ngritur akuza për trafik droge, drejtim të rrezikshëm të mjetit, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një kontrolli rutinë, kur oficerët e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti për verifikim. Shoferi nuk iu është bindur urdhrave dhe është larguar me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke hyrë disa herë në sens të kundërt të qarkullimit.
Pas ndjekjes, policia ka arritur ta ndalojë automjetin dhe ka arrestuar drejtuesin e tij.
Gjatë kontrollit në mjet janë gjetur dhe sekuestruar 28 pako me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale prej 167 kilogramë e 200 gramë.
Autoritetet greke bëjnë me dije gjithashtu se automjeti i përdorur në transport kishte targa të falsifikuara dhe është sekuestruar si provë materiale.




