Për ekspertët e sigurisë rrugore, ngjarja e Durrësit ku humbën jetën dy të mitur, mund të parandalohej. Gëzim Hoxha thotë se drejtuesit të automjetit duhej t’i ishte hequr patenta përgjithmonë, pasi ai ishte recidivist për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“Duhet të ketë masa më të rënda. Këtyre duhet t’u hiqet patenta një herë e përgjithmonë. Pra, nëse një njeri gabon një herë, gabon dy herë, tre herë, ky njeri nuk duhet të ngasë automjet, pasi tregon që ky person ka probleme. Automjeti është si një armë që vret njerëz. Ne akoma makinën e quajmë si punë sporti”.
“Veçanërisht disa masa duhet të jenë të menjëhershme. Për shembull, heqja e lejes së drejtimit. E ka bërë studimin Suedia, ka edhe shtete të tjera që e kanë këtë përvojë: hiq patentën përgjithmonë. Pra, pive pije alkoolike, nuk ke të drejtë të ngasësh më. Nëse tre herë kapesh me shpejtësi, nuk duhet të drejtosh më automjet. Të gjithë këta që shfaqin shenja të tilla nuk duhet të drejtojnë më”.
Për të ulur ngjarjet rrugore, ekspertët propozojnë edhe rritjen e gjobave, siç veprojnë vendet në Europë, ku monitorimi i akseve dhe ngjarjeve rrugore kryhet me kamera.
“Duhet të shkojmë drejt standardit. S’ka policë, por ka kamera. Ata e dinë që janë të monitoruar dhe rritja e gjobave me 500 do të sjellë një respektim të sinjalistikës rrugore”.
57-vjeçari i cili u mori jetën dy të miturve në Durrës rezultoi të kishte kryer edhe më herët shkelje të rregullave të qarkullimit.




