Verifikimi i pasurisë, SPAK merr në pyetje pastrueset e shtëpisë së Ballukut

Jugulajm.net
2 Min Read

Pastrueset e shtëpisë dhe shoferi i ish-zv.kryeministres Belinda Balluku janë ndër personat e parë që janë marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimeve për pasuritë dhe aktivitetin e saj. Ata janë pyetur lidhur me banesat e ish-ministres, si dhe për detaje të përditshmërisë së saj, në funksion të verifikimeve që po kryhen nga organi i akuzës.

Kontrollet, të shtrira në zyra, banesa, vila luksoze në jug të vendit dhe ambiente kompanish të ndryshme, janë zhvilluar me urdhër të SPAK dhe kanë përfshirë një numër të madh personash të lidhur me ish-zyrtaren e lartë, të cilët më pas janë thirrur për të dhënë shpjegime.
Ndër ta është edhe Viola Haxhiademi, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe aktualisht drejtoreshë e Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila u paraqit të enjten në SPAK për të dëshmuar, duke u konsideruar si një nga bashkëpunëtoret e afërta të Ballukut.

Shpjegime për hetuesit dha gjithashtu edhe Laureta Omeri, ish-këshilltare dhe një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të ish-ministres, e cila gjithashtu i është nënshtruar kontrollit.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe përfaqësues të biznesit. Arbër Abazi, kompanitë e të cilit kanë përfituar tendera nga Ministria e Infrastrukturës, ka dhënë shpjegime për dy procedura prokurimi. Ndërkohë, Kujtim Hasa, përfaqësues i kompanisë “Rruga Ura” në Elbasan, u ka dorëzuar hetuesve të BKH pajisje kompjuterike që konsiderohen të rëndësishme për hetimin.

Gjatë ditëve të fundit, në SPAK janë paraqitur edhe biznesmenë të tjerë, në kompanitë e të cilëve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike.

Hetimi i SPAK ndaj Belinda Balluku lidhet me dyshimet për abuzime në tendera të mëdhenj publikë, përfshirë ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe, ndërsa në këtë fazë fokusi është zgjeruar edhe në verifikimin e pasurive të saj dhe të personave të lidhur me të.

Share This Article