Duke nisur nga nesër hyn në fuqi Sistemi i ri i Hyrje-Daljeve (EES) që pritet të modernizojë ndjeshëm sistemet e kontrollit në BE edhe pse në fillim mund të shoqërohet me disa vështirësi.
Vulat në pasaportë do të zëvendësohen me regjistrimin digjital të hyrjeve dhe daljeve në BE si dhe të refuzimeve të hyrjes për udhëtarët nga vende jashtë BE-së që janë pjesë e zonës Shengen. Me anë të këtij sistemi që është vendosur për të modernizuar sigurinë kufitare dhe sistemet e emigracionit në BE si dhe për uljen e krimit dhe mashtrimet, pritet që të regjistrohen të dhënat biometrike, shenjat e gishtave dhe të dhënat personale nga dokumenti i udhëtimit që përdoret.
Në këtë sistem të ri përfshihen edhe shqiptarët të cilët udhëtojnë drejt vendeve të BE për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180 ditore. Sistemi zbatohet edhe për personat që kanë pronë në BE, por nuk kanë leje qëndrimi.
Ka shumë gjasa që në muajt e parë pas hyrjes së plotë në fuqi të EES të ketë vonesa të ndjeshme në aeroporte, edhe pse BE-ja ka premtuar njëfarë fleksibiliteti për të shmangur radhët e gjata gjatë sezonit veror.
Pasaporta biometrike nuk është detyrimisht e nevojshme për EES. Ajo kërkohet vetëm për të përdorur kioskat vetëshërbyese, që e bëjnë regjistrimin dhe hyrjen më të shpejtë.
Mbajtësit e pasaportave standarde duhet të kalojnë te sportelet me personel për regjistrimin fillestar dhe të japin një fotografi dhe shenjat e gishtave.
Këto të dhëna do të ruhen për tre vjet, duke i bërë kontrollimet e ardhshme dukshëm më të shpejta. Udhëtarëve që refuzojnë të japin të dhënat biometrike do t’u refuzohet automatikisht hyrja.
Fëmijët nën 12 vjeç nuk kanë nevojë të japin shenjat e gishtave, por gjithsesi duhet t’u bëhet një foto.




