Banorët e dy fshatrave në Bashkinë e Memaliajt, kanë protestuar sot para godinës së kësaj bashkie për mungesën e investimeve në infrastrukturë.
Ndonëse kryetari i Bashkisë Gjolek Guci u kishte lënë takim për sot, ky i fundit nuk u ka dalë fare në skenë duke u fshehur. Jo vetëm kaq, por as nënkryetarja e bashkisë Etmonda Harizi nuk është paraqitur fare në punë ditën e sotme. Të gjendur në këto kushte, banorët nuk e kanë fshehur zhgënjimin dhe revoltën ndaj krerëve të bashkisë të cilët jo vetëm që nuk i marrin fare në konsideratë problemet e këtij komuniteti, por dhe as që denjojnë të kontaktojnë dhe njihen me hallet e tyre.
Janë fshatrat Allkomemaj dhe Levan të cilat shtrihen në skajin verior të kësaj bashkie në kufi me Mallakastrën. Banorët kërcënojnë me shkatërrimin e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit, nëse qeveria shqiptare nuk përmbush premtimet e dhëna prej 30 vitesh për shtrimin e rrugës. Banorët nuk kanë kursyer as deputetin e zonës Laert Durajn duke e quajtur një mashtrues ordiner i cili nuk ka denjuar as t’i presë apo t’u japë zgjidhje problemeve të këij komuniteti 3000 banorësh.
Mjaft prej tyre, të zhgënjyer nga mungesa e vëmendjes prej pushtetit, kanë hedhur idenë e kalimit të këtyre dy fshatrave në Bashkinë e Mallakastrës me shpresën se situata do të ndryshojë.