SPAK çon për gjykim ish-zv/kryeministrin Ahmetaj dhe…

Jugulajm.net
4 Min Read

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për kalim në gjykim të çështjes penale në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, bashkëjetueses Erjola Hoxha, ish-bashkëshortes Albina Mançka, biznesmenëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, që lidhen me aferën e incineratorëve.

Po ashtu, për pastrim parash janë marrë të pandehur edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët kanë mundësuar kalimin e parave nga biznesmenët kontroversë të incineratorëve drejt Ahmetajt dhe personat e lidhur me të.

Sipas SPAK, të pandehur janë marrë gjithashtu Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja.

Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë raste.

SPAK pretendon se Ahmetaj ka përfituar 2 milionë lekë dhe rreth 440 mijë euro nga biznesmenët Zoto dhe Mërtiri përmes shitjeve fiktive me persona të tretë, së bashku me një vilë në Hamallaj të vlerësuar në 230 mijë euro. Gjithashtu, ai akuzohet se ka përfituar shpenzime udhëtimi në vlerën e 31 442 lekësh.

SPAK e akuzon Ahmetajn se ka fshehur pasuri, vlera të investimeve si dhe transaksione të tjera.

Në njoftim bëhet me dije se Ahmetaj ka fshehur burimin dhe ka bërë deklarim të rremë në lidhje me sasinë e parave të investuara prej tij dhe ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka në pallatin e ndërtuar nga shoqëria Lani sh.p.k. Po ashtu, ai akuzohet për fshehje të shumave të investuara në apartamentin për dhënie me qira ditore në total 7.1 milionë lekë, nga të cilat 2 milionë lekë janë dokumentuar se janë dhënë nga Zoto dhe Mërtiri.

Deklaratat e Ahmetajt pranë ILDKPKI, për shitje të pasurive shtetasve Besmir Prifti dhe Sonila Goxha, si dhe për transaksionet e kryera lidhur me këto shit-blerje, vlerësohen prej SPAK si të rreme. Sipas prokurorisë, këto shitje fiktive janë bërë me qëllim fshehjen e burimit të shumës prej 270 mijë eurosh, që Zoto dhe Mërtiri i kanë dhënë në formën e mitës.

Po ashtu, SPAK i akuzon Ahmetajn dhe Maçkën edhe për deklarim të rremë e fshehje të një vile në Green Coast, Palasë. Kjo vilë është prenotuar nga e pandehura Elda Dinaj, mikeshë e Maçkës. Vila së bashku me parkimin është vlerësuar në shumën mbi 387 mijë euro. Po ashtu, shpenzimet janë qenë në masën 115 mijë euro dhe 1 milion e 169 mijë lekë.

Ahmetaj dhe bashkëjetuesja Hoxha akuzohen për deklarim të rremë dhe fshehje të burimit të vërtetë të një shume 30 mijë euro, që është gjendur gjatë kontrollit të vilës në Hamallaj, vlerë e deklaruar si dhuratë.

Edhe për vilën në Hamallaj me vlerë 230 mijë euro, Ahmetaj dhe Hoxha akuzohen për deklarim të rremë e fshehje. Sipas SPAK, vila është porositur për të prej vitit 2017 nga Zoto dhe Mërtiri, ndërsa i është kaluar Ahmetajt përmes të pandehurve Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha.

Nga hetimet ka rezultuar se është fshehur dhe burimi i vërtetë i shumës së deklaruar nga bashkëjetuesja e tij, e pandehura Erjola Hoxha, si e ardhur nga aktiviteti tregtar i shoqërisë 3S Consulting sh.p.k, në pronësi të saj.

Sipas SPAK, Ahmetaj ka kryer deklarim të rremë dhe fshehje në dekaratën e dorëzuar në ILDKPKI në mars të 2019-ës, lidhur me burimin e një shume 93 mijë e 500 euro, e shpenzuar në kazinonë Dragonara në Maltë. Për këto rrethana, Ahmetaj është marrë i pandehur dhe për pastrim parash.

Share This Article