Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë: Pasi të shkoj në Shqipëri, do shoh si është realiteti dhe do veproj

Jugulajm.net
2 Min Read

Kandidati i presidentit amerikan për ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, vlerësoi punën e SPAK-ut dhe rëndësinë e luftës kundër korrupsionit gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, duke e cilësuar strukturën e posaçme si një institucion kyç për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Gjatë dëshmisë së tij përpara senatorëve amerikanë, Wendt tha se SPAK përfaqëson një nga rezultatet më të rëndësishme të mbështetjes amerikane në Shqipëri dhe theksoi se institucioni ka krijuar besim përmes pavarësisë dhe procesit të vetingut të prokurorëve.

“Nga gjithçka që kam lexuar, SPAK në Shqipëri është një institucion shumë i vlefshëm dhe i pavarur. Prokurorët që punojnë aty i nënshtrohen procesit të vetingut”, deklaroi ai.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe ndikimi që ka lufta kundër korrupsionit në klimën e investimeve amerikane në Shqipëri. I pyetur nga senatorët nëse funksionimi i SPAK-ut ndikon në rritjen e investimeve të huaja, Wendt u shpreh se respektimi i ligjit dhe konkurrenca e ndershme janë elemente thelbësore për kompanitë amerikane.

“Unë do të bëj punën time si ambasador; nëse ato kompani ndjekin rregullat, atëherë do të jemi në rregull. Përsa i përket SPAK, unë them se ajo ka qenë efektive. Të gjithë duhet të kenë oportunitete të barabarta”, tha ai.

Kandidati për ambasador ndaloi gjithashtu te rëndësia strategjike e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, duke përmendur projektin e Porto Romanos si një pikë me interes të madh ushtarak dhe ekonomik për aleancën.

Sipas Wendt, Porto Romano pritet të shndërrohet në një nyje të rëndësishme për transportin e kargos dhe për mbështetjen logjistike të NATO-s në rajon, me funksionalitet të plotë të parashikuar deri në vitin 2030.

Megjithatë, ai theksoi se një pjesë e qëndrimeve dhe vendimeve të tij do të varen nga realiteti që do të gjejë në Shqipëri pas marrjes së detyrës.

“Pasi të shkoj atje, unë duhet të shoh çfarë ndodh atje dhe pastaj të veproj”, deklaroi Wendt gjatë seancës në Senatin amerikan.

Share This Article