Bie numri i maturantëve edhe këtë vit, teste të veçanta për ata me aftësi ndryshe

Jugulajm.net
2 Min Read

Largimet jashtë vendit dhe ulja e lindjeve po tkurrin ndjeshëm brezin e ri. Edhe më pak maturantë do të jenë këtë vit në provimet e Maturës Shtetërore.

Rreth 26 500 të rinj në të gjithë vendin kanë nisur përgatitjet për mbylljen e shkollës së mesme dhe orientimin e tyre drejt universiteteve, brenda dhe jashtë vendit.

Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, tregon se aktualisht maturantët kanë mbyllur plotësimin e formularit A1 për përcaktimin e lëndës me zgjedhje, e cila tregon edhe orientimin drejt universiteteve.

Në të gjitha shkollat e Shqipërisë kanë filluar konsultimet që e ndihmojnë nxënësin për t’u përgatitur për të gjitha provimet”, thotë ajo. “Në datën 7 janar kemi botuar edhe testet provë që mendojmë se i kanë ndihmuar maturantët për t’u përgatitur”.

Edhe pse çdo vit administrimi i Maturës është një proces që has probleme pothuajse në çdo provim, numri dy i Ministrisë së Arsimit tregon masat që po merren për të shmangur daljen e tezës. “Të gjithë përgjegjësit duhet të ushtrojnë autoritetin e tyre për mbarëvajtjen e provimit”, thotë ajo.

Ndërkohë, edhe këtë vit maturantët me aftësi ndryshe do të kenë teste të veçanta dhe me një nivel më të ulët vështirësie. Notat e tyre do të kenë të njëjtën peshë si ato të nxënësve me teste standarde.

Matura Shtetërore nis në qershor me provimin e gjuhës së huaj, më datë 2. Më 9 qershor zhvillohet provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, ndërsa më 16 qershor ai i matematikës. Matura Shtetërore mbyllet me provimin e lëndës me zgjedhje më 23 qershor.

Share This Article