Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka publikuar njoftimin zyrtar, ku ka ndërmarrë një operacion të gjerë në qytetin e Vlorës, duke zbardhur dy atentate mafioze të ndodhura pesë vite më parë. Bëhet fjalë për vrasjen e Gentjan Qarrit më 6 shkurt dhe ekzekutimin e Bledar Birçajt më 10 mars të vitit 2021.
Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se pas këtyre ngjarjeve qëndron një grup kriminal i lidhur me Inez Hajrullën, një emër i njohur për autoritetet në qytetin bregdetar. Hajrulla, i konsideruar nga hetuesit si figurë me ndikim në botën e krimit në Vlorë, ka qenë më herët edhe vetë objektiv i disa atentateve, nga të cilat ka arritur të mbijetojë.
Në kuadër të hetimit, SPAK ka lëshuar tetë urdhër-arreste për persona që dyshohen për përfshirje në vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale, kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë RENEA, FNSH dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në Vlorë për të ekzekutuar urdhër-arrestet. Megjithatë, pavarësisht kontrolleve të shumta që zgjatën disa orë, objektivi kryesor i operacionit, Inez Hajrulla, nuk u gjet në banesë dhe nuk u arrestua.
Personat për të cilët është vendosur masa “arrest me burg” janë:
- Inez Hajrulla, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Qarrit
- Ervis Matodashaj, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Qarrit
- Flodian Plaku, i njohur me nofkën “Pole Qorri”, i akuzuar për trafik droge
- Hamëz Demushi, ish-punonjës policie, i akuzuar për trafik droge
- Argest Xheza, i akuzuar për trafik droge
- Arben Memishaj, i akuzuar për trafik droge
- Mendu Duka, i akuzuar për trafik droge
- Rezart Kuçi, i akuzuar për trafik droge
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK thuhet se:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një hetim të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë dhe aktivitet të shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian, i dyshuar për përfshirje në vrasje, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Hetimi është mbështetur në analizën e komunikimeve të koduara në aplikacionin SkyECC, si dhe në veprime të tjera hetimore, përmes të cilave është zbuluar aktiviteti kriminal i grupit.
Në kuadër të procedimit penal nr. 152 të vitit 2022, SPAK po heton veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike” në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 13, datë 5 mars 2026, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tetë shtetas shqiptarë.
Masat e sigurisë janë ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Deri tani janë arrestuar tre persona, një prej të cilëve ndodhet aktualisht në Zvicër, ndërsa vijon puna për kapjen e pesë të tjerëve.
Gjykata ka miratuar gjithashtu kontrolle ndaj personave të dyshuar, banesave dhe automjeteve të tyre, veprime që janë ende në zhvillim.
Sipas SPAK, hetimi ka dokumentuar përfshirjen e grupit në disa krime të rënda.
Një prej tyre është vrasja me paramendim e shtetasit Gentjan Qarri, e ndodhur më 6 shkurt 2021 në Vlorë. Sipas hetimeve, të dyshuarit I.H. dhe E.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit, kanë organizuar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët. Ata dyshohet se kanë dhënë udhëzime për monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve për atentatin, largimin e autorëve dhe djegien e makinës së përdorur në krim.
Nga komunikimet e zbardhura rezulton gjithashtu se të njëjtët persona kishin planifikuar vrasjen e shtetasit B.B., duke monitoruar vazhdimisht lëvizjet e tij përmes kamerave të vendosura pranë lokalit “The Boss” në Vlorë. Viktima u ekzekutua më 10 maj 2021 në lagjen “Hajro Çakërri”.
Nga hetimet dhe analizimi i komunikimeve në SkyECC janë dokumentuar disa raste të trafikimit ndërkombëtar të drogës, të shoqëruara me sekuestrime të mëdha.
Në portin e Roterdamit në Holandë janë sekuestruar 750 kilogramë kokainë të porositura në Ekuador nga shtetasi F.P. në bashkëpunim me M.D. dhe persona të tjerë. Sasia kishte destinacion vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Po ashtu, rreth 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Patra të Greqisë, brenda një kamioni që kishte ardhur nga Holanda dhe që sipas hetimeve transportonte një tjetër ngarkesë droge me destinacion Italinë.
Një tjetër operacion i autoriteteve gjermane në dhjetor 2020 çoi në sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohet të jenë shtetasit R.K., oficer policie, dhe A.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit.
Grupi dyshohet gjithashtu për trafikim të cannabis sativa, ku janë dokumentuar sekuestrime prej 227 kilogramësh në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut në mars 2021.
Sipas SPAK, oficeri i policisë R.K. dyshohet se ka përdorur detyrën e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal të grupit.
Ai akuzohet se ka siguruar logjistikë për transportin e drogës, ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ka ndërhyrë në telefona për të fshirë të dhëna me interes për hetimin dhe ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interes të personave të përfshirë në aktivitet kriminal.
Gjithashtu dyshohet se ai përdorte komunikime të koduara përmes aplikacionit SkyECC.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Europol, Eurojust, DEA dhe agjenci ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian.
SPAK bëri të ditur se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.




