Bashkëpronësia, ja sa të gatshëm janë shqiptarët të paguajnë…

Jugulajm.net
2 Min Read

Isidor Koti prej 12 vitesh punon si administrator pallatesh në kryeqytet. Sipas tij ligji për bashkëpronësinë është i vonuar, pasi nuk ka një vullnet nga qeveria për ta bërë atë funksional.

Gjatë një interviste për emision “E-ZONE”, Koti tha se sfida e këtij ligji është mungesa e të dhënave mbi sipërfaqet e përbashkëta.

“Sot askush nuk mund të thotë se sa sipërfaqe do  të menaxhojë administratori i pallatit. Nuk ka një regjistër të sipërfaqeve të përbashkëta. Ndaj sfida e zbatimit të këtij ligji mbetet baza e të dhënave”, tha  Koti.

Sipas Kotit një ligj i tillë që të funksionojë duhet që të ketë bashkëpunimin e institucioneve lokale dhe qendrore. Qeveria thotë se po harton një formulë për të përcaktuar kuotën që duhet të paguajë çdo familje në varësi të zonave. Por sipas tij kjo kuotë nuk bazohet në të dhëna reale.

“Ligji parashikon t’i japë administratorit një sërë kompetencash. Por ato duhet të përkthehen në shërbime. Një familje duhet të dijë çfarë shërbimesh do të marrë kur të paguajë kuotën. Mbi të gjitha si do të zgjidhen rastet kur qindra apartamente janë bosh dhe nuk njihet pronari? Pa një koordinim me kadastrën dhe bashkinë ky ligj nuk do të ketë sukses”, tha Koti.

Por sa të ndërgjegjshëm janë qytetarët të paguajnë për të zgjidhur problematikat që hasen në komunitet?

“I ndërgjegjshëm je kur e kupton që duhet të paguash për shërbimin. Shqiptarët e kuptojnë që duhet rregulluar defekti, por nuk paguajnë. Në këtë fazë janë. Por për aq kohë sa s’ka rregulla të qarta loje, çdo qyteti i pëlqen kaosi dhe tenton t’i shmanget përgjegjësive. Ndaj është e rëndësishme miratimi sa më parë i akteve nënligjore”, u shpreh ai.

Share This Article