Fermerët e Këlcyrës kryesisht ata të zonës veriperëndimore të kësaj bashkie, kanë protestuar sot për mungesën e ujit, korrentit dhe mungesës së ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore e bujqësore të fshatrave që ata jetojnë.
Sërish ata janë tubuar para godinës së Bashkisë së Këlcyrës për të protestuar ndonëse kërkesat e tyre janë kryesisht të karakterit të përgjithshëm që kërkojnë zgjidhje prej organeve të tjera shtetërore.
Megjithatë fermerët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga organet e pushtetit vendor, pasi mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit të pijshëm, ka cënuar seriozisht egzistencën e punëve të përditshme të tyre si dhe pengesë për një jetë normale.
Ata kanë kërkuar prezencën e deputetëve të maxhorancës për të zgjidhur situatën e krijuar rishtazi. Fermerët nisur nga situatë se derimë tani nuk ka patur ndonjë reagim konkret nga ana e OSHEE, Ujësjellës-Kanalizimeve, kanë kërcënuar për përshkallëzim të protestës.
Ata shprehen se brenda pak ditëve do të ndërmarrin veprime që do të përballen me ligjin sikurse është bllokimi i aksit rrugor kombëtar “Këlcyrë-Përmet” dhe kjo vetëm për t’u dëgjuar ankesat e tyre.
“Jemi gati të shkojmë dhe në burg, sepse kjo jetë që bëjmë është më keq sesa para një shekulli”., – thonë ata.
Jugulajm.net ka kontaktuar me kryetarin e Bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndoni, për t’i marrë një reagim konkret për protestën në fjalë. Nga ana e tij zoti Ndoni i ka quajtur të drejta kërkesat e fermerëve, por që meritojnë zgjidhje nga organe të tjera, që nuk janë në varësi të Bashkisë Këlcyrë. Sipas tij, kërkesat e fermerëve u janë përcjellë autoriteteve përkatëse për zgjidhje.



