Shqipëria feston sot një nga datat më të rëndësishme të historisë së saj kombëtare. 114 vite më parë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, duke shënuar lindjen e shtetit të pavarur shqiptar.
Sot, në të gjithë vendin dhe në trevat shqiptare, 28 Nëntori kremtohet me krenari, emocione dhe aktivitete të shumta festive, në kujtim të aktit historik që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë së kombit shqiptar.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli Shqipërinë shtet të lirë e të pavarur. Ky akt historik erdhi pas përpjekjeve të gjata të shqiptarëve për liri, vetëvendosje dhe krijimin e një shteti kombëtar.
Në Kuvendin e Vlorës morën pjesë përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare, ndërsa Akti i Pavarësisë u nënshkrua nga 40 delegatë. Ismail Qemali u zgjodh në krye të Qeverisë së Përkohshme, duke marrë përsipër drejtimin e shtetit të saposhpallur shqiptar.




