Një 29-vjeçare është arrestuar, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme për pjesëmarrësit në protestën antiqeveritare më 28 nëntor në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Siguronin dhe furnizonin me sende të kundërligjshme pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje, me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e akteve të dhunshme, vihet në pranga një shtetase dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundragaz dhe sende të tjera.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.
Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.




