Prangoset 45-vjeçari, përplas makinën e policisë gjatë tentativës për t’u arratisur, pasi…

Jugulajm.net
3 Min Read

Një 45-vjeçar është arrestuar këtë të shtunë, pasi është përfshirë në shitje drogash të forta si kokainë, heroinë, posedim të armëve te ftohta dhe autor vjedhjesh në Durrës.

Gjatë tentativës për t’u arratisur nga vendi i ngjarjes, 45-vjeçari përplasi me makinën ën drejtonte, automjetin e Policisë.

Njoftimi i policisë:

I përfshirë në shitje drogash të forta, autor i dyshuar vjedhjesh dhe posedues armësh të ftohta, arrestohet 45-vjeçari.

I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi Heroine, sasi Kokaine dhe 1 elektroshok.

-Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor i 45-vjeçarit, në vjedhje, dhe 1 bashkëpunëtor tjetër, në shitjen e lëndeve narkotike (ky i fundit i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin, me qira).

-Procedohet penalisht një shok i 45-vjeçarit, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një shtetas, me pistoletë lodër.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article