Padia që po trondit sistemin e Drejtësisë: Si po shkelet Kushtetuta për 7 anëtarët e Vettingut

Jugulajm.net
5 Min Read

“Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i vë flakën Gjykatës Kushtetuese: Pika që u hap rrugën “automatikisht” 7 anëtarëve të KPA-së për në Apel, është antikushtetuese.  

Një betejë vendimtare për sundimin e ligjit në Shqipëri ka filluar zyrtarisht, pasi në Gjykatën Kushtetuese ka mbërritur padia e parë që kundërshton hapur “pushtimin” e sistemit të drejtësisë nga 7 anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), të cilëve në qershor 2026 u skadon mandati.

Në qendër të stuhisë juridike është një pikë e vetme, por shpërthyese: Pika nr.6, e nenit 166 të ligjit për “Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, e cila sipas shoqatës “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” është krejtësisht e papajtueshme me Kushtetutën e Shqipërisë. Kjo shoqatë ka depozituar një material voluminoz duke kërkuar shfuqizimin e kësaj pike, dhe arsyeja është e thjeshtë: Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 136/a, thotë qartë se gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre.

Tani, pyetja është: sa nga 7 anëtarët e KPA-së e kanë kryer Shkollën e Magjistraturës? Asnjë!

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i skandalit, sepse ligji i “Statusit” u mundëson atyre që, vetëm për shkak se kanë qenë pjesë e Vettingut, të kalojnë automatikisht në Gjykatën e Apelit, sikur të jenë mbi ligjin.

Padia i ka bërë publike edhe emrat e 7 anëtarëve që kërkojnë të depërtojnë në sistem: Sokol Çomo, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Mimoza Tasi, Ina Rama dhe Ardian Hajdari.

Burime nga Këshilli i Lartë Gjyqësor tregojnë se prej vitesh këta anëtarë jo vetëm që kanë lobuar pranë këtij këshilli, por kanë kërkuar hapur që t’u rezervohen vendet vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë, me qëllimin e vetëm që pas përfundimit të mandatit të tyre në KPA, ata të fillojnë punë si gjyqtarë pa asnjë konkurs.

Ndërkohë që shoqata po depozitonte padinë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dërguar Kuvendit një kërkesë zyrtare për dosjet personale të 7 anëtarëve, dhe një vizitë lobuese e zyrtarëve të KPA-së pranë KLGJ-së ka ngjallur dyshime se procesi po nxiton politikisht, duke u përpjekur të “betonojë” kalimin e tyre para se Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e fundit.

Debati që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese është themelor: nëse statusi i “gjyqtarit kushtetues” që kanë anëtarët e KPA-së është i lidhur vetëm me funksionin e përkohshëm të Vettingut, atëherë pas qershorit 2026 ata janë thjesht qytetarë të thjeshtë dhe duhet të konkurrojnë si gjithë të tjerët, të ndjekin Shkollën e Magjistraturës dhe të verifikohen.

Por nëse Gjykata e mbështet pikën nr.6, atëherë ajo do të legjitimonte një anashkalim masiv të Kushtetutës, duke krijuar një klasë të re gjyqtarësh “elitarë” të emëruar jo mbi bazën e meritës dhe ligjit, por mbi bazën e një mandati politik. Ky nuk është thjesht një proces gjyqësor; ky është testi më i madh i ndershmërisë kushtetuese në Shqipërinë e pas-reformës.

Nëse 7 anëtarët e KPA-së futen në Gjyqësor përmes kësaj rruge të shkurtër, atëherë i gjithë procesi i Vettingut rrezikon të kthehet në një “karusel” që rrotullon të njëjtët njerëz, duke përqeshur Shkollën e Magjistraturës dhe qindra juristë të tjerë që presin me vite të drejtën për të konkurruar.

Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” ka vënë një gur mbi shpatullat e Gjykatës Kushtetuese. Tani pritet përgjigja: a do të mbizotërojë Kushtetuta, apo do të triumfojë politika e karrigeve?

Burimi: ”Pamfleti”

Share This Article