‘Rolls Royce’ 500 mijë euro, ‘Lamborghini’, skafe etj., shteti nxjerr në shitje mjetet luksoze e sekuestruara dhe të konfiskuara

Jugulajm.net
2 Min Read

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka bërë publik katalogun më të fundit të mjeteve që ndodhen nën administrimin e saj, duke hedhur një tjetër hap drejt rritjes së transparencës dhe informimit të publikut mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga shteti.

Ky publikim vjen vetëm disa ditë pas prezantimit të katalogëve të përditësuar të pasurive të tjera, duke ofruar tashmë një panoramë më të plotë të portofolit të aseteve që administrohen nga agjencia.

Katalogu përfshin një gamë të gjerë automjetesh dhe mjetesh të tjera transporti, të ndara sipas statusit ligjor në mjete të sekuestruara dhe mjete të konfiskuara, duke pasqyruar qartë fazën ligjore në të cilën ndodhet secila pasuri. Për çdo mjet jepen të dhëna të detajuara, përfshirë bazën ligjore të sekuestrimit ose konfiskimit, përshkrimin teknik, vitin e prodhimit dhe vlerën e përafërt financiare.

Në katalog përfshihen si automjete të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe mjete me vlerë të lartë tregu, përfshirë makina luksoze dhe sportive, skafe dhe mjete të tjera transporti. Mes tyre bien në sy automjete si Lamborghini Urus, Rolls Royce me vlerë që shkon deri në rreth 500 mijë euro, si edhe marka të tjera luksoze si Porsche dhe Lexus, me vlera mbi 100 mijë euro.

Publikimi i këtij katalogu synon të rrisë aksesin e publikut në informacion dhe të krijojë bazën e nevojshme për procese të mëtejshme administrimi, përdorimi apo tjetërsimi të këtyre pasurive, gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet përkatëse gjyqësore.

Pas publikimit të katalogëve të pasurive të paluajtshme, katalogu i mjeteve plotëson mozaikun informues mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara në Shqipëri. Kjo qasje e integruar e AAPSK-së vlerësohet si një element kyç për forcimin e besimit publik, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe përmirësimin e eficiencës në administrimin e pasurive që kanë kaluar në administrim ose pronësi të shtetit.

Share This Article