Një person i tretë është përfshirë në hetimet e Policisë greke lidhur me shpërthimin e ndodhur në diskotekën “Jacky O.” në Athinë, ku si autorë kryesorë janë arrestuar dy vëllezër shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2025, në zonën Ilisia.
Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për një grua, e cila është identifikuar dhe po hetohet për rolin e saj në këtë ngjarje. Ndërkohë, dy shtetas shqiptarë janë arrestuar tashmë, persona të njohur për autoritetet greke për përfshirje në episode të mëparshme kriminale.
Sipas Policisë greke (ELAS), të arrestuarit janë dy vëllezër, 41 dhe 32 vjeç, të cilët u kapën në Keratsini, të enjten më 22 janar. Ata janë identifikuar si Blerim Buci, 41 vjeç dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy me origjinë nga Tirana.
Përveç akuzës për shpërthimin me eksploziv, ndaj tyre ishte aktiv edhe një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje, si dhe shkelje të legjislacionit për armët. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuza për organizim kriminal, shpërthim, prodhim dhe posedim eksplozivësh, dëmtim të pronës së tjetrit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe një grua greke 44-vjeçare, e cila akuzohet për bashkëpunim në shpërthim dhe për sigurimin e automjetit të përdorur për largimin e autorëve nga vendngjarja.
Sipas Policisë, motivi i sulmit ishte refuzimi i pronarit të lokalit për t’iu nënshtruar gjobvënies nga grupi i shqiptarëve, të skeduar më parë për precedentë penalë në fushën e grabitjeve. Dyshohet se 32-vjeçari ka vendosur dhe aktivizuar mjetin shpërthyes, përpara se të largohej me automjetin ku po e priste vëllai i tij, 41-vjeçari.
Mediat greke kanë publikuar edhe pamje filmike nga momenti i vendosjes së eksplozivit, ku autori shfaqet me maskë dhe kapuç, duke mbajtur në njërën dorë telefonin celular dhe në tjetrën një qese letre ngjyrë kafe që përmbante pajisjen shpërthyese. Gjithashtu, është bërë publike edhe videoja e shpërthimit, e regjistruar nga një kamerë sigurie e një biznesi pranë diskotekës, raporton “Protothema”.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi disa telefona celularë, një thikë, veshje dhe një pajisje me telekomandë. Mësohet se 41-vjeçari ka kundërshtuar arrestimin, ndërsa të dy të dyshuarit janë dërguar në prokurorinë kompetente për veprime të mëtejshme.




