BE ngre ALARMIN për sigurinë ushqimore në Shqipëri: Problem korrupsioni në AKU

Jugulajm.net
3 Min Read

Siguria ushqimore vijon të mbetet një problematikë e madhe në Shqipëri. Edhe progres raporti i Komisionit Europian i publikuar ditën e djeshme, e liston sigurinë ushqimore si një ndër shqetësimeve kryesore duke e vënë theksin tek mangësitë e funksionimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Në kapitullin 12-të ku flitet për sigurinë ushqimore në Shqipëri, raportohet se legjislacioni shqiptar mbetet vetëm pjesërisht i përafruar me standartet e Bashkimit Europian dhe kërkohet forcimi i masave për parandalimin e korrupsionit në proceset e inspektimit dhe certifikimit të produkteve. Komisioni kërkon reforma institucionale duke përfshirë bashkimin e AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe qartësimin e kompetencave të inspektimit.

“Reformat institucionale janë të nevojshme, veçanërisht për bashkimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Për më tepër, ndarja e detyrave të inspektimit ndërmjet AKU-së dhe Inspektoratit të Përgjithshëm duhet të bëhet më e qartë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për statistikat e inspektimeve, administrimin e të dhënave dhe transparencën”, thekson Komisioni Europian.

Gjithashtu raporti thekson se duhet të ketë laboratore që përputhen me parimet e rregullores për të patur rezultate të besueshme mbi produktet përkatëse.

“Laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar në përputhje me parimet e rregullores për kontrollet zyrtare. Për rrjetin e laboratorëve zyrtarë, ende duhet të vendosen metoda të validuara të analizimit paraprak, për të garantuar besueshmërinë e rezultateve për speciet dhe produktet përkatëse. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për zhvillimin e kapaciteteve, akreditimin dhe validimin e metodave”, thuhet në raport.

Një tjetër problematikë janë mbetjet e pesticideve në ushqime, raste të shpeshta të cilat janë raportuar nëpër doganat e vendeve të BE.

“Për mbetjet e pesticideve, Shqipëria duhet ende të përmirësojë zbatimin e masave të marra në rastet e mospërputhshmërisë dhe të rrisë transparencën”.

Po ashtu evidentohet se Shqipëria duhet të hartojë një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit.

“Shqipëria duhet të zhvillojë një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit. Nuk është raportuar përparim për rregullat specifike për ushqimin e kafshëve dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, thuhet ndër të tjera për sigurinë ushqimore.

Share This Article