21 Janari/ Rama: SPAK bëri sikur kjo çështje s’ekziston, edhe pas 15 vitesh s’ngriti akuzë

Jugulajm.net
5 Min Read

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e homazheve për 4 protestuesit e vrarë me 21 Janar, shigjetoi dhe Prokurorinë e Posaçme.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte dhe vetëm 15 vite pas krimit, nisi të merrte në pyetje disa persona për këtë vrasje.

Ai tha se për të është e paimagjinueshme se reforma në drejtësi që lindi si nevojë për drejtësi edhe për 21 Janarin, nuk ngriti asnjë akuzë as pas 15 vjetësh për vrasjet në bulevard.

“Mezi u thirrën për tu pyetur pas thuajse 15 vitesh, se 15 vjet bëhen sot. E kam ditur dhe thënë, është në shumë kronika se 21 janari si krim shetëror hyn në atë kategori për të cilën historia na mëson se drejtësia vonon shumë por nuk harron kurrë.

Është interesante historia e krimeve shtetërore sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar. Është shumë evidente nga ana tjetër në analet e asaj historie se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror.

Por ama edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike ndaj krimeve shtetërore nuk e kam menduar se reforma në drejtësi që 21 janari si nevojë e jonë për drejtësi ka qenë një nga arsyet për ta çuar para reformën, është e paimagjinueshme për mua që nuk do të ngrinin asnjë akuzë për 21 janarin as pas 15 vjetësh për vrasjet në bulevardin kryesor.

Edhe pse SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, kur i është dashur ka hetuar dhe ka ngritur akuza për një vit për çështje të hapura qoftë me një letër anonime, apo ka konsumuar energji me vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti me çështje të cilat janë aq të sforcuara sa mund të shkruhen romane satirike jo vendime gjyqësore të formës së prerë, fajësie.

Ishte i paepuri, Mark Nika ungjii të ndjerit Aleks Nika që e çoi çështjen në Strasburg dhe e ktheu gurin mbi varrin ku drejtësia e kishte kyçur 21 janarin, pas një farse të shëmtuar kriminale si ai gjyqi që me demek u bë lidhur me vrasjet”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se vetëm falë këmbënguljes së familjarëve të viktimave dosja e krimit më të egër të historisë së demokracisë shqiptare u vendos me detyrim në tryezën e SPAK.

“Vetëm ashtu dhe falë këmbënguljes së familjeve të viktimave përmes Markut dosja e krimit më të egër të histrorisë së demokracisë shqiptare u vendos me detyrim përcaktim në tryezën e SPAK, ai dorëzoi një material autentik zërash të regjistruar në vendngjarja nga kanalet e komnukimit të forcave të sigurisë të cilin e mbante të fshehur nga mosbesimi total ndaj institucioneve të drejtësisë dhe nga ndroja se mos ai material mund të “humbte” sic janë “humbur” plot gjurmë.

21 janari ka një specifikë, ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur ujku është i dukshëm në sytë e të gjithëve. Gjykata e Strasburgut nënvizoi si shkelje të Konventës Europiane qoftë përdorimin e pajustifikueshëm të forcës vdekjeprurëse qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e kryeministrit me forcë vdekjeprurëse duke kërkuar nga autoritetet të zbardhin ngjarjen.

Gjykata e Lartë ka formuluar dokumentin më të plotë dhe të pa kontestueshëm profesionalisht dhe moralisht dhe ka vënë në lëvizje hetimet që kanë rinisur”, theksoi Kryeministri.

Rama tha se nevoja për drejtësi për këtë tragjedi do të triumfojë me se s’bën.

“Ndërkohë që shpresa vdes e fundit dhe nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë edhe kur vdes shpresa. Unë nuk e di edhe sa vite do kërkojë fundi i padrjetësisë ulëritëse të 21 janarit, mbi këdo që kërkon drejtësi, di me siguri që ulërimat e kësaj padrejtësie nuk do shuhen asnjëherë, nevoja për drejtësi për këtë tragjedi do të triumfojë se nuk bën”, tha kryeministri Rama.

Share This Article