Policia italiane ka sekuestruar mbi 160 kilogramë kokainë në provincën e Bergamos, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Guardia di Finanza.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy shtetas shqiptarë, të cilët janë dërguar në burg nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Operacioni u realizua në kuadër të një kontrolli të koordinuar nga repartet e Guardia di Finanza që veprojnë në Distriktin e Gjykatës së Apelit të Brescias. Sasia e drogës u zbulua pas ndalimit të një automjeti të rëndë tip TIR në një zonë industriale të provincës së Bergamos.
Sipas autoriteteve italiane, pas shërbimeve të vëzhgimit dhe kontrollit në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, të konsideruara me interes të lartë hetimor, u konstatuan lëvizje të dyshimta të mjetit të rëndë.
Drejtuesi i automjetit hyri në rimorkio dhe po priste mbërritjen e një automjeti të dytë, nga i cili u shkarkuan çanta të mëdha. Menjëherë pas këtij veprimi, forcat e Guardia di Finanza ndërhynë duke bllokuar mjetet dhe personat e përfshirë.
Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan 150 pako me kokainë, me një peshë totale mbi 160 kilogramë. Sipas përllogaritjeve, lënda narkotike do të sillte rreth 20 milionë euro fitime në tregun e paligjshëm.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe në bashkëpunim me Autoritetin Gjyqësor kompetent, dy shtetasit shqiptarë u arrestuan dhe u dërguan në Burgun e Bergamos, ku do të përballen me drejtësinë.




