Policia e Shtetit ka shpallur thirrjet për konkurrim për disa pozicione drejtuese.
Në zbatim të urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, konkurset janë hapur për pozicionet “Drejtor Vendor i Policisë” dhe “Shef Komisariati”, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi drejtuese, rezultate të larta në punë, integritet moral dhe profesional.
Konkretisht, është shpallur konkurrimi për pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka hapur edhe konkurset për pozicionin Shef Komisariati në disa njësi vendore. Konkretisht, bëhet fjalë për Komisariatin e Policisë Fier dhe Lushnjë, në varësi të DVP Fier, Komisariatin e Policisë Kavajë në DVP Durrës, Komisariatin e Policisë Kolonjë në DVP Korçë, si dhe komisariatet e Policisë Mat dhe Bulqizë në DVP Dibër.
Këto pozicione janë shpallur të lira për shkak të transferimeve të drejtuesve aktualë në detyra të tjera apo ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
NJOFTIMI:
Me qëllim zhvillimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese në përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi, rezultate të larta, integritet moral dhe profesional, si dhe promovimin në detyrë të punonjësve të Policisë, në zbatim të urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, shpallen thirrjet për konkurrim për pozicionin “Drejtor Vendor i Policisë në Policinë e Shtetit” dhe për pozicionin “Shef Komisariati”, për plotësimin e funksioneve organike, si më poshtë vijon:
Drejtor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, për shkak të transferimit dhe emërimit Drejtor në një tjetër DVP të punonjësit të Policisë, të përzgjedhur për këtë funksion me proces konkurrimi;
Drejtor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, për shkak të shkarkimit nga detyra të punonjësit të Policisë, të përzgjedhur për këtë funksion me proces konkurrimi.
Faza e aplikimeve: deri më datë 22.01.2026.
Shef, në Komisariatin e Policisë Fier, në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;
Shef, në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;
Shef, në Komisariatin e Policisë Kavajë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;
Shef, në Komisariatin e Policisë Kolonjë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në Policinë e Shtetit dhe transferimit në struktura të tjera shtetërore;
Shef, në Komisariatin e Policisë Mat, në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;
Shef, në Komisariatin e Policisë Bulqizë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;
Faza e aplikimeve: deri më datë 23.01.2026.
Procesi i konkurrimit do të zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, mbi parimet e transparencës, barazisë së mundësive dhe meritokracisë, duke garantuar një vlerësim objektiv dhe të paanshëm të të gjithë kandidatëve pjesëmarrës.




