VIDEO/Përmbytet banesa në “Arshi Lengo”, flet banorja: Dëme të shumta, rrezikohemi nga rënia e gureve nga lartësitë…

Jugulajm.net
2 Min Read

Shumë banesa kanë qenë në fokusin e përmbytjeve nga vërshimi i pakontrolluar i ujërave në territorin e Bashkisë së Gjirokastrës. Por më e goditura, rezulton kjo shtëpi një katëshe në fshatin “Arshi Lengo” pjesë e Njësisë Administrative Antigone.

Nga kodra përbri banesës, u dyndën inerte ranore e shtufore, aq sa në një përllogaritje të specialistëve, besohet se në 100 metër katrorë hapësirë që ka kjo banesë, të jenë dyndur 50 metër kub rërë e baltë së bashku pa llogaritur ujin.

Burbuqja, e zonja e shtëpisë, ende vazhdon të “dëbojë” ujin e përrenjve të hapura rishtazi tre ditë më parë e bashkë me të dhe baltën nga dhomat e shtëpisë.

Ajo është emigrante në Greqi dhe e lajmëruan se shtëpinë e mori lumi. Kur ka ardhur është ndeshur me hatanë që i kishte ndodhur. Dhomat plot e përplot me ujë e baltë me një trashësi mbi 60 cm.

Për të ardhur në këtë gjendje, që siç po e shikoni ne video, i është dashur 48 orë.

Gjithçka që kishte kursyer në 30 vite emigrim në Greqi ajo dhe bashkëshorti i saj Agim Çela, e mori përroi për 10 minuta.

Dëmet janë të pallogaritshme, pasi të gjitha orenditë shtëpiake i kanë dalë jashtë funksionit.

Bashkë me to dhe themelet e shtëpisë janë tronditur, si pasojë e intensitetit të reshjeve dhe vërshimit të baltës shtufore. Por ajo që paraqet rrezikshmëri, është prezenca e tre gureve të mëdhenj sipër shtëpisë në një largësi prej 100 metrash pjesrrësi, që cënojnë seriozisht këtë banesë dhe bujtësit e saj.

Ndërhyrja për evadimin e këtyre gureve, paraqet urgjencë për të shmangur ndonjë tragjedi të padëshirueshme.

Burbuqe Çela rrëfen momentet me të cilat ajo u ndesh me shtëpinë e saj.

Deri tani vlerësohen se janë 10 banesa që paraqesin probleme dhe që janë të braktisura nga bujtësit e tyre në territorin e Qarkut të Gjirokastrës, për shkak të gjendjes fizike dhe rrezikshmërisë që paraqesin pasi ishin objekt i goditjes nga vërshimi i ujërave dhe baltës.

Share This Article