Akuza e Ahmetajt ndaj Ramës, një akuzë e rëndë që vret vetveten…

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Dyshimi ndaj akuzave të Arben Ahmetajt nuk buron nga besimi te Rama apo te qeveria e tij. Për korrupsionin, tenderat apo abuzimet, drejtësia duhet të flasë mbi baza faktike. Por ajo që nuk mund të pranohet është një logjikë e tipit “më besoni mua, sepse unë po e them”.
Ahmetaj pretendon se Kryeministri ka dashur ta vrasë. Kjo nuk është thjesht një akuzë politike; është pretendim për krim kapital, për tentativë vrasjeje. Në çdo shtet serioz, një deklaratë e tillë nuk shkon në studio televizive, por drejt e në prokurori.
Këtu lind paradoksi logjik:
nëse rreziku ka qenë real, heshtja përballë SPAK-ut është e pajustifikueshme;
nëse nuk ka rrezik real, atëherë deklarata është manipulim i frikës publike.
Nuk ekziston variant i tretë.
Ahmetaj nuk është qytetar i thjeshtë, i pambrojtur apo i painformuar. Ai ka qenë në majë të pushtetit, ka njohur mekanizmat e shtetit, ka pasur akses te dokumente, te struktura dhe te institucionet. Një njeri në këtë pozitë që nuk depoziton kallëzim penal, por zgjedh rrëfimin emocional publik, minon vetë besueshmërinë e tij.
Akuzat për korrupsion kërkojnë prova financiare.
Akuzat për abuzim pushteti kërkojnë dokumente.
Akuzat për tentativë vrasjeje kërkojnë denoncim penal.
Pa këtë hap, çdo fjalë tjetër është retorikë mbrojtëse personale.
Prandaj problemi nuk është Rama si figurë politike, por modeli i ri i akuzës pa përgjegjësi, ku drejtësia anashkalohet dhe publiku përdoret si gjykatë emocionale. Kjo nuk është guxim, as denoncim është strategji mbijetese.
Në një shtet që pretendon të ndërtojë drejtësi, logjika alla Ahmetaj nuk mund të pranohet: Ose flet drejtësia, se hesht politika.
Problemi nuk është mbrojtja e Ramës, por besueshmëria e akuzave të Arben Ahmetajt. Personalisht, nuk i besoj këtyre akuzave jo sepse Rama është i pastër, por sepse nuk përputhen me profilin, karakterin dhe mënyrën e funksionimit të tij.
Ahmetaj tenton të ndërtojë figurën e Ramës si një njeri “trim”, i rrezikshëm, deri në kufijtë e eliminimit fizik. Por kjo figurë nuk përkon me realitetin politik që njohim. Rama nuk ka treguar kurrë tipare të një njeriu që merr rreziqe ekstreme personale. Përkundrazi, ai ka ndërtuar pushtetin e tij përmes kontrollit institucional, manovrës politike dhe shmangies së përplasjes direkte, jo përmes akteve të dëshpëruara apo të dhunshme.
Nëse Ahmetaj pretendon se Rama ka dashur ta vrasë, atëherë lind një pyetje themelore, që nuk mund të shmanget me retorikë:
Përse nuk e denoncon këtë fakt në SPAK?
SPAK është institucioni që vetë qeveria e Ramës e ka promovuar si simbol të drejtësisë së re. Nëse një ish, zëvendëskryeministër ka prova për një kërcënim ndaj jetës së tij nga Kryeministri, atëherë heshtja përballë SPAK-ut nuk është akt guximi, por shenjë e mungesës së provave ose e përdorimit politik të frikës.
Akuzat e rënda kërkojnë përgjegjësi po aq të rënda. Nëse ato nuk shoqërohen me kallëzim penal, dokumente apo fakte konkrete, atëherë rrezikojnë të mbeten rrëfime emocionale për konsum publik, jo denoncime serioze.
Prandaj, dyshimi im nuk është selektiv, por racional:
ose kemi të bëjmë me të vërteta që duhet të shkojnë urgjentisht në drejtësi,
ose me një narrativë të ndërtuar për të shpëtuar veten politikisht dhe penalisht.
Tiranë më 09.01.2025.

Share This Article